Site icon Telegrafi

Duka: Lehtësimi i masave qeveritare shkak për kthimin e coronavirusit në Dibër

Edhe pse një periudhë të gjatë në Dibër nuk pati të sëmurë pozitiv me Kovid-19 , gjatë javës së kaluar, është rritur numri i të prekurve dhe shifrat janë dëshpëruese. Shtabi komunal i krizës e ka dhënë sot këtë vlerësim, ndërsa kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, u shpreh i shqetësuar meqë rritja e numrit të të prekurve nga koronavirusi nuk ka të ndalur. Gjatë javës së kaloi, nga 16 teste – 8 kanë rezultuar pozitiv.

“Jemi në pritje të testimeve të reja që janë bërë në terren dhe njëkohësisht testimi që ju është bërë 69 të punësuarve në çerdhen ‘Breshia’”, tha Duka.

Si shkak kryesor për rikthimin e virusit, Duka përmendi lehtësimin e masave qeveritare, si dhe mosrespektimin e tyre, kryesisht në drejtim të mos mbajtjes së maskave dhe mënyrës të mos realizimit të protokolleve në rrjetin tregtar. Ai kërkoi nga inspektorët sanitar dhe të tregtisë masa të drejtpërdrejta për të kontrolluar mënyrën e punës nëpër objektet në fjalë, ku faktikisht nuk respektohen masat ashtu siç janë të parapara.

Duke marrë parasysh situatën në komunë në lidhje me këtë virus të rrezikshëm, kohën e fundit është realizuar dezinfektim në fshatrat Kosovrast i Poshtëm dhe Kosovrast i Epërm. Nga dita e sotme një dezinfektim i ri do të realizohet përsëri në qytetin e Dibrës meqë këtu janë të evidentuar raste të reja pozitive. Po ashtu, me qëllim që të parandalohet zgjerimi i virusit, duhet të ndërmerret edhe fushatë senzibilizuese për popullatën. “Virusi është prezent dhe duhet me shumë seriozitet ta kuptojmë këtë problem shëndetësor”, apeloi Duka dhe shtoi se respektimi i masave që kanë të bëjnë me mbajtjen e maskave, distancën fizike dhe masave të tjera, duhet tërësisht të respektohen./Koha/

Exit mobile version