I pari i Federatës Shqiptare të Futbollit është shprehur se ndihet krenar me paraqitjen e djelmoshave të kombëtares, por edhe me tifozërinë fantastike
Paraqitja e futbollistëve shqiptarë, por edhe e publikut ka mahnitur gjithë Evropën në Euro 2016. Edhe pse fati nuk ka qenë me Kombëtaren në dy ndeshjet e para të Kampionatit Evropian, presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, ndihet krenar me paraqitjen e shqiptarëve dhe kërkon nga skuadra që të veprojë në fushë njësoj si ndaj Zvicrës dhe Francës.
“Jam krenar për sjelljen e të gjithëve në këtë kompeticion. Me sjelljen dhe kontributin e futbollistëve, patjetër, por edhe me sjelljen dhe mbështetjen e tifozëve dhe mënyrën sesi e kanë bërë atë mbështetje për të treguar vlerat tona të vërteta”, deklaroi fillimisht Armand Duka.
“Jo vetëm ne, futbollistët dhe të gjithë kemi dashur shumë më tepër nga këto dy ndeshje. Pas ndeshjes me Zvicrën, në gjaknxehtësi e sipër, i thashë dikujt në dhomat e zhveshjes që nuk na duhen humbjet dinjitoze, por kemi nevojë për fitoren. Por, kur në ndeshjen me Francën dhamë gjithçka dhe fitorja nuk erdhi, nuk ke çfarë ti thuash më tepër skuadrës”
“Këtë duam edhe nga ndeshja me Rumaninë, jo vetëm nga skuadra, por edhe nga spektatorët. Nëse do të bëjmë të njëjtën gjë mbetet që fati të na ndihmojë. Kaq janë mundësitë tona, ekipi ka dhënë gjithçka. Po të bëjnë të njëjtën gjë edhe ndaj Rumanisë, pavarësisht rezultatit sinqerisht që do jem shumë i kënaqur. Uroj që lodhja të mos ndikojë te ekipi, apo që lojtarët të mos kenë presion se duhet me patjetër të bëjnë rezultat pozitiv për t’u kualifikuar”, përfundoi numri një i Federatës Shqiptare të Futbollit. /Telegrafi/