Kryetari i Komunës së Dibrës, Hekuran Duka, i cili udhëheq me Shtabin Operativ Komunal, në takimin e sotëm me gazetarët, i bëri apel Qeverisë të sigurojë mjete mbrojtëse për personelin shëndetësor në qytet.
“Dje janë testuar 19 personat ku tre prej tyre janë pozitiv nga coronavirusi. Kam informacione se që të tre janë punëtorë shëndetësorë. Për këtë arsye vlerësojmë se punëtorët shëndetësorë nuk janë mjaftueshëm të mbrojtur siç duhet. Kërkojmë nga pushteti qendror masa mbrojtëse shtesë, për shkak se këto të tanishmet janë të improvizuara”, tha Duka.
Më herët, coronavirusi u vërtetua te dy mjekë dhe dy infermiere nga ambulanca private pedriatike.
Ai shtoi se momentalisht 77 persona ndodhen në izolim dhe vazhdimisht po kontrollohen nga policët e MPB-së dhe se vazhdojnë të dezinfektohen hapësirat publike, objektet dhe rrugët nga ndërmarrja publike komunale./Telegrafi/