Ka mendime të ndryshme midis kopshtarëve nëse është më mirë të ujitni bimët në mëngjes apo në mbrëmje, kurse disa betohen duke ujitur me ujë të ngrohtë
Ditët e majit sollën edhe mot me shi, kështu që ujitja e bollshme e kopshtit nuk ishte ende e nevojshme. Por ndërsa bëhet më e ngrohtë dhe më e thatë, pronarët e shtëpive me kopshte po pyesin se kur është koha më e mirë për t’i ujitur ato. Në mëngjes apo në mbrëmje?
Këtu nuk ka asnjë debat dhe nuk bëhet fjalë për faktin se çdo kopshtar ka mënyrën e vet.
Sigurisht që është më mirë të ujitet kopshti në mëngjes sesa në mbrëmje. Në mëngjes, toka ftohet, po ashtu edhe uji (nëse mbahet në vazo), që do të thotë më pak tronditje për tokën dhe për bimët.
Ujitja në mëngjes është më efikase, sepse bima thith lëndët ushqyese nga toka nga mëngjesi deri në mesditë (duhet të kujdesemi për diellin), dhe i sintetizon ato pasdite, transmeton Telegrafi.
Mos i ujisni bimët gjatë ditës, edhe nëse ato thahen. Nëse i spërkatni ose i ujisni bimët me ujë të ftohtë në atë kohë, mund të jetë fatale dhe gjethet do të digjen nëse i spërkatni me ujë të ftohtë në një ditë të nxehtë, sepse bimët e lagështa janë më të ndjeshme ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve. Ujitja pikë-pikë është shumë më e mirë për bimët sesa ujitja me një kovë për ujitje.
Nëse do të ujitim bimët në mbrëmje, uji duhet të jetë në temperaturën e duhur. Nëse kemi një pus ose burim tjetër uji të ftohtë, e lëmë në një enë të përshtatshme (mundësisht të bardhë që të mos nxehet) në hije gjatë ditës, assesi në diell.
Uji nuk duhet të jetë as i ngrohtë, as i nxehtë, por as i ftohtë, diku nga 20 deri në 30 gradë. Nuk duhet të harrojmë edhe zorrën në të cilën uji mund të nxehet shumë. Derdhja e këtij uji të nxehtë do të shkatërronte përpjekjet tona.
Gjithashtu duhet të presim që bimët të “vijnë në vete” para ujitjes në mbrëmje. Mos i ujisni herët në mbrëmje, por patjetër prisni që temperatura të bjerë nën 30 gradë, pra gjatë valës së të nxehtit mund të jetë vetëm pas orës 22 apo 23.
Bimët që nuk duhen ujitur asnjëherë në gjethe janë bimët me fruta – domatet, specat, patëllxhani, kastraveci, kungujt… Mirëpo, për sallatën dhe lakrën, nëse është shumë vapë, këshillohet që t’i ujisni në gjethe, në mëngjes – sepse do ta freskojë bimën. Megjithatë, sigurohuni që pikat të mos jenë shumë të dendura.
Sa ujë na duhet? Sidomos për fillestarët, një truk i mirë është të gërmojnë pak me lopatë për të parë sa thellë ka ardhur uji pas ujitjes.
Gjithashtu, ekspertët theksojnë domosdoshmërinë e malcimit (mbulimit të sipërfaqes ndërmjet rendeve) me materiale të ndryshme, – uji avullohet shumë nga toka e zhveshur. Nëse i mbulojmë, për shembull, me bar ose kashtë, kursejmë edhe gjysmën e ujit, ndërsa mulçimi i mbron bimët nga ndryshimet e tepërta të temperaturës. /Telegrafi/