Nga: Suriyah Bi, profesoreshë në Universitetin e Oksfordit / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Një raport i Dhomës së Ultë të Parlamentit, islamofobinë e konfirmon si formën më të zakonshme të krimit të urrejtjes fetare në Mbretërinë e Bashkuar. Në mënyrë të veçantë, 42 për qind e të gjitha krimeve të urrejtjes fetare – të raportuara në polici – ishin sulme kundër myslimanëve. Por, aq të dobëta janë përpjekjet e vërteta për të ndëshkuar islamofobinë dhe sulmet islamofobike, saqë mungojnë tërësisht statistikat për ndjekjet penale dhe për dënimet.
Nuk dimë asgjë nga ajo sesi policia i trajton ankesat për islamofobinë, apo nëse ka ndonjë proces uniform te të gjitha rastet. Ndërkohë, islamofobia mbetet e pandëshkuar dhe po rritet. Kjo duhet të ndryshojë.
Debati rreth mënyrës se si duhet të ndëshkohet kjo, po bllokohet nga angazhimi për të gjetur një përkufizim. Kjo mund të jetë e rëndësishme, por myslimanët britanikë nuk mund të presin derisa studiuesit debatojnë se si ta përcaktojnë atë që ka qenë prej kohësh realitet i qartë i përditshëm dhe mizor. Përkufizimet që kanë të bëjnë me komunitetet e islamofobisë, bazuar në përvojën e rëndë, po injorohen nga peizazhi ligjor që i qaset ndjekjes penale dhe dënimit nëpërmjet metodave dhe sistemeve të vjetruara.
Cila është zgjidhja? Si t’i ndëshkojmë – siç duhet – islamofobët? Si ligjëruese e Gjeografisë Kulturore në Universitetin e Oksfordit, kam përdorur aftësitë e mia kërkimore për ta hartuar një indeks të islamofobisë – për të ndihmuar policinë, prokurorët, viktimat dhe që analistët të kuptojnë se kur duhet t’i ndërmarrin veprimet ligjore dhe si t’i përcaktojnë rrugët drejt veprimit të tillë. Kryesorja, kjo është hera e parë që propozohet një indeks – që mbetet si projekt i hapur – për të matur krimin e urrejtjes. Indeksi frymëzohet nga mënyra se si përpunohen krimet – si dhuna në familje – duke e vendosur në qendër dëshminë dhe përvojën e viktimës.
I publikuar javën e kaluar, indeks i islamofobisë shoqërohet me një formular të shtigjeve drejt ndjekjes penale, që ndihmon në identifikimin e ligjeve të shkelura dhe që vlerëson çdo krim të urrejtjes në bazë të intensitetit, qëllimit, ndikimit dhe pamaturisë.
Si mund të funksionojë? Le t’i shohim disa shembuj flagrantë të islamofobisë, përfshirë këtu komentet famëkeqe të Boris Johnsonit që gratë myslimane që veshin burka i cilësonte “kuti postare”, pastaj shpërndarjen e letrave nxitëse të dhunës – “Ndëshkojeni Ditën Myslimane” – grisjen e një shamie të një gruaje myslimane e cila në vendin e punës quhej Shamima Begum …
Duke iu referuar komenteve të Johnsonit, pozicioni i tij i dikurshëm si sekretar i Jashtëm ka kontribuar me notën 10 në kategorinë e pamaturisë. Nota 10 u aplikua gjithashtu në kategorinë e ndikimit, pasi komentet thuhet se orkestruan rritjen me 375 për qind të sulmeve islamofobike kundër grave myslimane në Mbretërinë e Bashkuara. Intensiteti dhe qëllimi u vlerësuan respektivisht me shtatë dhe me tetë, duke rezultuar në një indeks total me notën 35. Si çështje ligjore para një gjyqtari, rezultati i indeksit të lartë do të vendoste drejtpërdrejti – në qendër të procesit të ndjekjes penale – ndikimin njerëzor të komenteve të Johnsonit, për të kërkuar një verdikt të duhur.
Nëse marrim parasysh atë se quhesh Shamima Begum në vendin e punës – përvojë që disa gra myslimane e kanë ndarë me mua – një notë shtatëshe është aplikuar në katër nënkategori. Nota 28 e indeksit do t’ia mundësonte gjyqtarit të vendoste incidentin në shkallën e ashpërsisë, duke dhënë kështu dënim më të vogël, por të përshtatshëm – për shembull – për çështjen Johnson.
Letrat “Dënoje Ditën Myslimane” morën indeks më të lartë, për shkak të ashpërsisë së dëmtimit të synuar dhe të nxitur fizik, që përfshinte “hedhjen e acidit në fytyrë të një myslimani”, “torturimin e një myslimani duke përdorur shok elektrik apo rrjepje”, ose “therje të myslimanit” dhe “djegie apo bombardim xhamie”.
Pa hezitim, u aplikua 10-shja në të katër kategoritë, duke prodhuar rezultat të indeksit prej 40. Shtigjet drejt ndjekjes penale vërejtën se ishin shkelur Akti i Komunikimeve Dashakeqe, Akti i Rendit Publik (1986) dhe Akti i Krimit dhe Çrregullimit (1998). Së bashku me pikët e indeksit dhe të kapacitetit të plotë, policia dhe profesionistët ligjorë do të udhëhiqen për të ndjekur penalisht dhe për të dënuar këto raste në përputhje me rrethanat dhe sipas rrugëve të lartpërmendura ligjore.
Prandaj, formulari im i propozuar ua lejon viktimave dhe profesionistëve të policisë që në çdo rast t’i identifikojnë ligjet që janë shkelur përmes islamofobisë. Një indeks i plotësuar, si dhe shtigjet drejt ndjekjes penale, do të ndihmonin gjyqtarët që të kontekstualizojnë incidentet sipas përvojës së viktimës.
Por, ka më shumë nga ajo që duhet bërë, nëse gjykatat përgatiten për të përballuar islamofobinë. Akti i Barazisë (2010) duhet të përditësohet për të kriminalizuar keqpërdorimin e qëllimshëm në shtyp dhe në media. Në peizazhin ligjor duhet të ketë gjithashtu vepër specifike të islamofobisë. Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës duhet të përcaktojë urgjentisht “armiqësinë”, në mënyrë që të sjellë para drejtësisë incidentet e islamofobisë (dhe krimet tjera të urrejtjes fetare). Rishikimet janë gjithashtu të nevojshme për të përditësuar Aktin e Rendit Publik (1986) dhe Aktin e Krimit dhe Çrregullimit (1998).
Për mua kjo nuk është temë abstrakte. Jam një nga shumë myslimanet britanike që i është dashur të luftojë për korrektësi dhe drejtësi brenda sistemit të gjykatave – në rastin tim me një çështje të punësimit, në gjykatë, që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Zbatimi i indeksit jo vetëm se do të krijojë hapësirë përbrenda strukturave ligjore – për myslimanët britanikë që përjetojnë islamofobinë – por, gjithashtu do t’ju sigurojë atyre agjencinë për të ndjekur drejtësinë dhe për t’ua dhënë gjyqtarëve dhe prokurorëve qartësinë që garanton drejtësinë. Dhe, ky është një rezultat prej kohësh i vonuar . /Telegrafi/