Site icon Telegrafi

Duhet të hetohen për korrupsion edhe organizatat ndërkombëtare në Kosovë

Kush ua kontrollon organizatave ndërkombëtare në Kosovë pasqyrat financiare, pra harxhimet dhe shpenzimet financiare? Thjeshtë, askush! Asnjëherë deri më sot, prej 12 qershorit 1999, asnjë organizatë ndërkombëtare nuk qe në gjendje të ofrojë pasqyrë financiare për shpenzimet e veta të cilat pretendon se i bën në këtë vend.

Ndërsa për çdo ditë shohim, dëgjojmë e lexojmë nëpër media e paraqitje publike se si ato, pra organizatat ndërkombëtare, po investojnë para e mjete teknike në Kosovë dhe kështu po e përgatisin Kosovën për zhvillime të mëtejme (sic!). Bile, mund të përfundojmë që ka organizata ndërkombëtare këtejpari që janë të gatshme të dalin edhe para publikut tonë edhe para opinionit të vet e të deklarojnë që krejt këto rrugë, shkolla, shtëpi e banesa, të tilla çfarë janë, të ndërtuara në Kosovë janë pjesë e investimeve të tyre, bile falas, si dhuratë a donacion.

Tek e fundit, pse asnjë qeveri e Kosovës deri më tash, e as kjo e Kryeministrit Hashim Thaçi, as nuk kërkojë e as nuk kërkon një auditim të pasqyrave financiare të organizatave ndërkombëtare në Kosovë dhe pastaj ato të bëhen publike dhe për diskutim? Organizatat ndërkombëtare në Kosovë na thonë që paratë i marrin nga qeveritë e tyre përkatëse, saktësisht nga tatimpaguesit e tyre. Mirë, por ata ato para i marrin në emër të qytetarëve të Kosovës, në emër të zhvillimit të Kosovës.

Tashti, për cilin zhvillim flasin ata? Ku është ai zhvillim? E pata thënë njëherë që, praktikisht, nuk ka institucion publik në Kosovë (asnjë ministri e agjenci qeveritare ose edhe Kuvend Komunal) që në brendinë e vet organizative nuk ka së paku dy organizata ndërkombëtare të cilat, siç thonë publikisht, financojnë projekte të ndryshme. Në realitet, bëhet fjalë për organizata të mëdha ndërkombëtare. Në këtë kuadër, secila ministri ose agjenci qeveritare, nëse del të jetë e korruptuar financiarisht dhe e keqmenaxhuar qëllimisht, atëherë kjo nuk e përjashton edhe përgjegjësinë dhe llogaridhënien e tyre edhe para opinionit tonë edhe para opinionit të tyre prej nga vijnë.

Së fundi, këto organizata thonë që janë qeveritë e tyre përkatëse atyre që u japin llogari për aspektin financiar dhe menaxhues të tyre. Në kuptimin ligjor, kjo mund të jetë e drejtë, por në kuptimin politik, administrativ dhe në marrëdhënie me publikun, pra me gazetarinë, një perceptim i tillë është i gabuar. Sepse paratë e tyre, edhe një herë, thuhet të investohen, shpenzohen e harxhohen në Kosovë dhe në emër të qytetarëve të Kosovës. E këtu nuk flitet për një grusht parash, por për dhjetëra e qindra miliona euro qarkullim në baza vjetore.
 

Exit mobile version