Rrjeti social Twitter ka konfirmuar se nga llogaritë zyrtare të presidentit amerikan do të “fshihen” miliona ndjekës të tyre, përpara se të “transferohen” në administratën e Biden.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, ekipi i z. Joe Biden “luftoi” planin, por gjiganti i mediave sociale tha se vendimi ishte “i qartë”.
Dhe kjo lëvizje thuhet se shënon një përmbysje nga tranzicioni i fundit.
Kjo pasi që Twitter ra dakord për kërkesën e Donald Trump në vitin 2016 për të “trashëguar” miliona ndjekës të Barak Obamës.
“Në vitin 2016, administrata Trump mori të gjithë ndjekësit e Twitter të presidentit Obama në @POTUS dhe @WhiteHouse – me nxitjen e Ekipit 44”, shkroi të hënën Rob Flaherty, drejtori dixhital i presidentit të zgjedhur Biden.
“Në vitin 2020, Twitter na ka informuar se tani për tani administrata e Biden do të duhet të fillojë nga zero”.
Kjo thuhet se do të ndikojë tek ndjekësit e llogarive të drejtuara nga qeveria si @POTUS dhe @FLOTUS, të gjitha këto do të mund t’i transferohen z. Biden kur ai të marrë presidencën në janar.
Twitter tha se ata që ndjekin llogaritë aktuale presidenciale do të njoftohen se ato po “arkivohen” dhe do t’u jepet zgjedhja për të ndjekur ose jo llogaritë e reja të administratës Biden.
Në anën tjetër, bëhet e ditur se llogaria personale e z. Biden, @JoeBiden, ka 21.7 milionë ndjekës dhe nuk do të ndikohet nga një lëvizje e tillë.
Ndryshe, presidenti Trump ka përdorur shumë mirë llogaritë e tij në Twitter, si profesionale ashtu edhe personale, për të qenë në kontakt me votuesit.
Gjatë kohës së tij në Shtëpinë e Bardhë, ai ka postuar në Twitter më shumë se 50,000 herë.
Sidoqoftë, sipas Factbase, një faqe në internet që ndjek postimet në Twitter dhe numërimin e ndjekësve, Trump ka humbur 369,849 ndjekës në llogarinë e tij personale që nga nëntori.
Në të njëjtën kornizë kohore, presidenti i zgjedhur Joe Biden ka fituar 2,671,790 ndjekës të tjerë. /Telegrafi/