Site icon Telegrafi

Duhet intervenim urgjent për rregullimin e shtratit të Lumit Mirusha

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka vizituar sot Komunën e Malishevës, me ç’rast është pritur nga i pari i Malishevës, Ragip Begaj, i cili e ka njoftuar me situatën e përgjithshme, pas vërshimeve të javës së kaluar, ka njoftuar përmes një komunikate Zyra për informim e kësaj komune.

Ministri Agani dhe kryetari Begaj, i kanë vizituar edhe Mirushën dhe Banjën, ku janë njohur direkt me pasojat e vërshimeve.

Begaj ka njoftuar ministrin e MPH-së për nevojën e përkrahjes në sanimin e kësaj gjendje në përgjithësi, dhe në veçanti për nevojën e rregullimit të shtratit të lumit Mirusha.

Nga ana tjetër ministri Agani, shprehi keqardhjen për të gjithë të dëmtuarit. Ndërsa sa i përket rregullimit të shtratit të lumit Mirusha, ministri Agani tha se “duhet të bëhet një intervenim urgjent, në punime të vrazhda për pastrimin dhe zgjerimin e lumit”, dhe tha se “do të angazhohet personalisht për gjetjen e mundësive për rregullimin e shtrati të lumit, së paku të fazës së parë”.

Ata gjithashtu kanë vizituar digën e liqenit artificial në Mirushë, me ç’rast i kanë parë dëmtimet në këtë digë, si dhe pishinat në Banjë. /Telegrafi/

Exit mobile version