Dr. Orleida Bare, kardiologe
Duhanpirja është shkaku numër 1 i sëmundjeve të parandalueshme që çojnë drejt vdekjes.
Duhanpirja është një nga shkaqet kryesore të sëmundjeve kardiovaskulare që mund të shoqërohen me vdekje të parakohshme. Sipas Shoqatës Amerikane të Kardiologjisë, duhanpirja është një nga shkaqet më të rëndësishme të parandalueshme që mund të çojnë drejt vdekjes.
Cila është lidhja midis duhanpirjes dhe sëmundjeve kardiovaskulare?
Duhanpirja është shkaku madhor i formimit të pllakës arterosklerotike – e përbërë nga grumbullimi i yndyrave në arterie. Arteroskleroza ndodh kur struktura normale e arterieve shkatërrohet, muret e arterieve trashen dhe depozitat yndyrore dhe pllakat arterosklerotike bllokojnë fluksin e gjakut të rrjedhë përmes arterieve. Në arteriet koronare, të cilat furnizojnë zemrën me gjak, arteroskleroza ngushton shumë diametrin e enës së gjakut duke pakësuar sasinë e gjakut të pasur me oksigjen që furnizon zemrën, veçanërisht në kushtet e një aktiviteti të shtuar fizik. Kjo shkakton dhimbje gjoksi (angina pektorale) ose simptoma të tjera. Sëmundja e arterieve koronare mund të çojë në atak kardiak.
Në arteriet periferike, arteroskleroza prek arteriet që furnizojnë me gjak krahët dhe këmbët. Si pasojë, pacienti mund të ketë dhimbje të këmbëve gjatë ecjes (simptoma njihet si klaudikacion intermitent). Sëmundja e arterieve periferike e rrit rrezikun për aksident vaskular cerebral (AVC).
Cila është lidhje midis duhanpirjes dhe atakut kardiak?
Rreziku që një njeri të bëjë atak kardiak, rritet me shtimin e numrit të cigareve dhe kohën në (muaj – vite) të duhanpirjes. Ata, që pinë një paketë cigare në ditë, kanë 2 herë më shumë rrezik për të bërë atak kardiak, krahasuar me ata që nuk pinë duhan.
Cila është lidhja midis duhanpirjes dhe kontraceptivëve oralë?
Gratë, të cilat pinë duhan dhe përdorin kontraceptivë oralë në të njëjtën kohe, e rrisin disa herë rrezikun për të bërë sëmundje të arterieve koronare dhe atyre periferike, sesa ato gra që nuk pinë duhan dhe që marrin kontraceptivë oralë.
Çfarë gjendjesh të tjera shëndetësore janë të lidhura me duhanpirjen?
Cigaret përmbajnë shumë substanca helmuese, si psh: nikotinën, monoksidin e karbonit, cianidin e hidrogjenit, etj. Ndodhen rreth 4 000 substanca me toksicitet të ndryshëm, duke përfshirë këtu 43 të njohura si karcinogjene.
Si ndikon duhanpirja tek të tjerët? Duhani nuk prek vetëm duhanpirësit; kur ju pini duhan njerëzit që ndodhen pranë rrezikojnë të zhvillojnë probleme me shëndetin, sidomos fëmijët. Ambienti me tym duhani (i njohur si duhanpirja pasive) prek njerëzit që rrinë shpesh pranë duhanpirësve. Duhanpirja pasive mund të shkaktojë sëmundje respiratore, kancer të mushkërive dhe sëmundje kardiovaskulare.
Duhanpirja shkakton:
1. uljen e oksigjenit në zemër dhe në indet e tjera të trupit.
3. uljen e aftësisë për punë.
4. ul nivelin e HDL kolesterolit ( yndyrën e mirë).
4. rrit presionin e gjakut (HTA) dhe frekuencën kardiake.
5. rrit rrezikun e zhvillimit të sëmundjes së arterieve koronare dhe atakut kardiak.
6. rrit rrezikun e zhvillimit të sëmundjes se arterieve periferike dhe AVC.
7. rrit rrezikun për zhvillimin e kancerit të mushkërive, të bronkeve dhe trakesë.
8. rrit rrezikun për zhvillimin e astmës bronkiale, bonkitit kronik, emfizemës pulmonare.
9. rrit rrezikun për zhvillimin e diabetit të sheqerit.
10. rrit rrezikun për shfaqjen e ulcerave të stomakut.
11. rrit rrezikun e krijimit të trombeve në gjak.
12. rrit rrezikun e përsëritjes së sëmundjes së arterieve koronare dhe ndërhyrjeve kirurgjikale (bv-pass aorto-koronarian).
13. rritet rreziku për sëmundje të mushkërive, sidomos tek fëmijët apo njerëzit e tjerë, që janë duhanpirës pasivë (thithin tymin e lëshuar nga duhanpirësit).
Cila është dobia e ndërprerjes së duhanit?
Tani që ju e dini se, sa i dëmshëm është duhani për shëndetin tuaj dhe për të tjerët rreth e rrotull, do t’ju shpjegoj se sa e dobishme është ndërprerja e duhanit.
Në qoftë se ju do ta lini duhanin, atëherë do të:
1. Jetoni më gjatë. Nëse e lini duhanin rreth moshës 35-39 vjeç, atëherë ju do
t’i shtoni t jetës tuaj rreth 6 – 9 vjet. Nëse e lini duhanin rreth moshës 65 – 69 vjeç rritet shpresa për të jetuar dhe me 1-4 vjet.
2. Ulni rrezikun për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare. Ndërprerja e duhanit e
ul me 50% rrezikun për atakun kardiak dhe vdekjen nga sëmundjet kardiake.
3. Ulet rrezikun për HTA, AVC, sëmundje të arterieve periferike.
4. Ulni rrezikun për zhvillimin e diabetit, sëmundjeve të ndryshme të mushkërive,
ulcerës.
5. Ndjeheni më mirë.
6. Dukeni më bukur. Ndërprerja e duhanit parandalon shfaqjen e rrudhave në
fytyrë, zverdhjen e dhëmbëve, përmirëson lëkurën tuaj dhe largon erën e keqe të rrobave dhe flokëve tuaj.
7. Përmirësoni aftësinë për të shijuar dhe për të nuhatur.
8. Kurseni para.
/Telegrafi/