Sezoni i ri në NBA do të fillojë të martën me duelin ndërmjet Cleveland Cavaliers dhe Boston Celtics, ndërsa e gjithë vëmendja është te gjendja fizike e LeBron James.
Mbreti i parketit po hyn në sezonin e tij të 15-të në ligën më të fortë të basketbollit, ndërsa asnjëherë nuk e ka humbur ndeshjen e parë.
Mirëpo, gjendja e tij vazhdon të jetë e paqartë dhe nuk dihet se a do të jetë i gatshëm për lojë.
James ka problem me nyjën e këmbës për më shumë se dy javë dhe ende nuk ka një vendim përfundimtar për praninë apo mungesën e tij në takimin ndaj Bostonit.
“Do të luajë. Më besoni, do të luajë. Nuk më intereson se çfarë do t’i duhet të bëjë, por do të luajë”, ka thënë bashkëlojtari i tij, J. R. Smith.
Trajneri Tyronn Lue ka thënë se as ai nuk e di se a do të jetë në gjendje të luajë James.
Nga ana tjetër, te ekipi kundërshtar i LeBronit do të luajë ylli tjetër i basketbollit, Kyrie Irving. /Telegrafi/