Billy Joe Saunders fitoi me pikë përballë Shefat Isufit, për ta fituar titullin vakant të WBO-së në kategorinë super të mesme.
Boksieri shqiptar, i cili tash ka rekord 27 fitore (20 me nokaut), katër humbje dhe dy barazime, në vitin e kaluar mbeti pa trajnerin Graciano ‘Rocky’ Rocchigiani, i cili humbi jetën në mënyrë tragjike.
Ish-kampioni i botës në kategorinë super të mesme në IBF dhe në kategorinë e lehtë të peshave të rënda në WBC, u bë trajner i Isufit në qershor të vitit 2017.
Mirëpo, bashkëpunimi i tyre zgjati për vetëm katër duele, duke qenë se Rocchigiani ndërroi jetë në tetorin e kaluar, pasi u godit nga një automjet teksa ishte duke ecur në Itali.
Meçi i të shtunës ishte i pari për boksierin shqiptar që nga vdekja tragjike e trajnerit të tij.
“Kam një tjetër engjëll mbrojtës që po kujdeset për mua nga lart, trajneri im i mëparshëm, Graciano ‘Rocky’ Rocchigianni, i cili ndërroi jetë së fundmi”, ka thënë Isufi për trajnerin e ndjerë. /Telegrafi/