Telegrafi

E kritikuan për takimin me Tërnavën në BIK, sqarohet Duda Balje: Ligjet s’kanë qenë temë e vizitës

Deputetja Duda Balje ka reaguar publikisht në lidhje me kritikat që ka marrë, pas takimit që ka zhvilluar me kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim Tërnava.

Në njoftimin e BIK-ut u tha se “është diskutuar për shqetësimin e  Myftiut Tërnava dhe të institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës, rreth ecurisë së miratimit të disa projektligjeve, e në veçanti miratimi i projektligjit për fertilizimin e asistuar, i cili kontribuon direkt në prishjen e institucionit të familjes”.

Për këtë Balje ka marrë kritika të shumta, ndërsa ish-deputetja Melihate Tërmkolli ka kërkuar shkarkimin e saj me arsyetimin se “kjo është shkelje flagrante e Kushtetutës, e cila garanton karakterin laik të shtetit të Kosovës”.

Por, Balje në reagimin e saj ka thënë se në takim ka deklaruar qëndrimin e saj për këto ligje, “mirëpo këto ligje nuk kanë qenë temë e vizitës te myftiu”.

“Me rastin e vizitës sime në Bashkësinë Islame të Republikës së Kosovës dhe Miftiut Naim Tërnava. Çdo vit, disa ditë para muajit të shenjtë të Ramazanit, vizitat e këtij lloji janë normale dhe të rregullta”, ka shkruar deputetja në Facebook.

Ajo tutje është shprehur se nuk ka shkuar në mbledhje në emër të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, as si Kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe as me anëtarët e këtij komisioni

“As nuk jam politikani i parë që e kam vizituar atë institucion. Unë nuk mund të ndikoj në mendimin e myftiut dhe të bashkësisë islame për ligjet aktuale, as nuk mund ta formoj apo ndryshoj atë, as nuk jam përgjegjës për të, ashtu siç nuk mund të ndikojnë ata në timin”, është shprehur tutje Balje. /Telegrafi/