Këto ditë në Prizren po mbahet festivali tradicional i filmit, DokuFest.
Nata e dytë e këtij festivali ka nisur me një performancë erotike, të realizuar nga disa kërcimtarë të cilët janë shfaqur me veshje provokuese dhe me motive nudizmi.
Mes reagimeve të shumta që ka pasur në rrjetet sociale, për rastin në fjalë ka shkruar edhe deputetja e njohur nga Prizreni, Duda Balje.
Deputetja e cila në Kuvendin e Kosovës përfaqëson komunitetin boshnjak dhe është kryesuese e Komisionit për Të Drejtat e Njeriut, ka publikuar pamjet në llogarinë e saj zyrtare në Facebook, të cilat i ka shoqëruar edhe me një kritikë të ashpër.
“Për gjërat që nuk janë normale, mos na bëni t’i pranojmë si moderne. Mos e prekni frymën e Prizrenit tradicional dhe kulturor! Pavarësisht se çfarë lloj festivali është, ju nuk keni të drejtë të shfrytëzoni momentin për ta paraqitur këtë! As në Prizrenin tim, as askund. Post-skriptum: Shpresoj që organizatorët të mos i kenë sjellë fëmijët e tyre, të mitur, me vete në hapjen e kësaj”, ka shkruar Balje në Facebook.
Edicioni i 22-të i DokuFest-it ka filluar më 4 gusht dhe do të përfundojë më 12 gusht në Prizren, me ndarjen e çmimeve për filmat fitues në kategoritë përkatëse të konkurrimit. /Telegrafi/