Deputetja e Grupit 6+, Duda Balje, ka qenë sot e pranishme në Seancën e Kuvendit për Mocionin, me ç’rast u bë edhe rrëzimi i Qeverisë.
Bëhet e ditur se deputetja boshnjake ka votuar pro rrëzimit të Qeverisë në Kuvend, transmeton Telegrafi.
Mirëpo Duda ka treguar përmes rrjeteve sociale se jashtë kornizave të politikës, ajo është shumë e përkushtuar në ndihmë të qytetarëve në nevojë.
Në një fotografi të publikuar në llogarinë personale të saj në Facebook, deputetja Balje shfaqet pranë një gruaje nga Reqana, bashkë me djalin e zonjës Enesit, i cili kishte nevojë për mjekim jashtë vendit, pasi vuante nga “spina bifida”, një sëmundje e palcës kurrizore.
Duda shkruan në mbishkrimin e fotografisë se ndjehet mirë që i erdhi lajmi për Enesin që do të shërohet, pasi janë mbledhur fondet nga personat të cilat kanë shprehur gatishmërinë për ndihmë nga fotografitë e shpërndara në rrjetet sociale, përmes së cilave kërkohej ndihmë për Enesin, ndërkohë që të njëjtën gjë kishte bërë edhe Balje.
“Tashmë, Enesi i vogël do të trajtohet me mjekim jashtë vendit, me doktorët në klinikat më profesionale në Gjermani, Itali dhe Turqi” shkruhet në postimin e deputetes Duda Balje, e cila njëkohësisht shkruante edhe lutje për shërimin sa më të shpejt të Enesit e vogël .
Në këtë rast thirrjet e fytyrave publike për t’u dalë në ndihmë qytetarëve kanë ndikuar për mirë. /Telegrafi/