Ish anëtari i DeepDish, Dubfire, është mahnitur me Prishtinën dhe atmosferën e krijuar në Zone Club, pavarësisht se ai performon në vendet kryesore të muzikës elektronike nëpër botë.
Në kryeqytetin tonë ka arritur nga Ibiza, e pas Prishtinës, ai është nisur menjëherë në Miami për një performancë tjetër.
Por, performanca e këtij vikendi në ZoneClub, siç duket ka qenë shumë unike edhe për vetë Dubfire, ‘deejay’ fitues të Grammy Awards, i cili turmës dhe atmosferës së krijuar në Prishtinë, ia ka kushtuar një postim shumë emocionues në profilin e tij në Instagram.
Pas përfundimit të ndejës në Zone, Dubfire ka shkruar, “Uau! Faleminderit Prishtina. Ndjenjë dhe vend i pabesueshëm. Dhe mu në mbyllje të sezonit. Mëkat që duhej të ndalej. Shumë faleminderit DJ Solomun që më ka rekomanduar të luaj në këtë vend”.
Edhe njëri prej pronarëve të ZoneClub, Dekorim Sahiti, duket se është emocionuar nga atmosfera dhe njerëzit që e kanë frekuentuar Zone këtë vit, pasi në emër të gjithë ekipit të tij ai është falënderuar publikisht.
“Përfundoi edhe një sezon me shumë punë, shumë mund, shumë stres e me shumë të mira. Mbi 60 ndeja, me mbi 2.000 deri 3.000 njerëz për secilën natë dhe pa asnjë problem. Së pari falënderoj Zotin e për atmosferën i falënderoj të gjithë artistët dhe DJ-të. E mbyllëm seZonën verore për të filluar atë dimëroren. Shihemi së shpejti”, ka thënë Sahiti. /Telegrafi/