Njerëzit në Dubai dhe në pjesën tjetër të Emirateve të Bashkuara Arabe kanë raportuar se janë sëmurë nga uji i pijshëm pas përmbytjeve të rënda që goditën rajonin.
Vendi u godit nga “reshjet e një viti në vetëm 12 orë”, të cilat shkaktuan përmbytje të rënda të martën e kaluar.
Përmbytjet e paprecedentë shkaktuan kërdi në aeroportin e Dubait, qendra më e ngarkuar e aviacionit ndërkombëtar në botë.
Moti bëri që Emirates të anulonte fluturimet me 200,000 pasagjerë dhe vonoi shumë të tjerë.
Dhe Agjencia shtetërore e lajmeve WAM e quajti shiun “një ngjarje historike të motit” që tejkaloi “çdo gjë të dokumentuar që nga fillimi i mbledhjes së të dhënave në 1949”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Por tani njerëzit në Emiratet e Bashkuara Arabe kanë shfaqur simptoma të lidhura me ujin e kontaminuar, tha të mërkurën ministria e shëndetësisë.
Deklarata, e transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve, nuk tha saktësisht se sa njerëz ishin prekur ose për çfarë saktësisht ishin trajtuar.
Ka pasur “një numër shumë të kufizuar rastesh që kanë shfaqur disa simptoma të prekjes nga uji i përzier” dhe ata kanë marrë trajtim spitalor, tha ministria.
Ndryshe, shi ra gjithashtu në Bahrein, Katar dhe Arabinë Saudite. Megjithatë, reshjet ishin akute në të gjithë Emiratet e Bashkuara Arabe. /Telegrafi/