Site icon Telegrafi

“Duart Plot Mëshirë” në Vitomericë të Pejës: Një strehë për njerëzit në nevojë

Në momente të vështira, kur njerëzit ndihen të humbur dhe të pafuqishëm, gjithmonë gjendet një vend si një dritë shprese që u ndihmon atyre të gjejnë rrugën.

“Duart Plot Mëshirë”, është një organizatë që ofron ndihmë për persona në nevojë dhe është mbështetur nga donacionet nga Austria.

Fillesat e saj datojnë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, kur një motër e nderit nga Austria, e quajtur Motra Marie Marta, ndjeu thirrjen për të ndihmuar në qytetin e Pejës.

E menaxhere e kësaj qendre është Najqe Kelmen, e cila ka rrëfyer për Telegrafin historinë e kësaj organizate.

“… më 3 korrik të 1999 menjëherë pas luftës ka ardhur një motër e nderit e Austrisë e cila ka shërbyer për 5 vite në Bosnjë pas luftës edhe në momentin që këtu ka përfunduar lufta e ndjen që duhet të shkoj në qytetin e Pejës dhe të ofrojë shërbime dhe në momentin që ka ardhur këtu ka startuar me ndihma humanitare të çdo aspekti, pastaj në vitin 2001 jemi regjistruar si organizatë jo-qeveritare ‘Kujdesi Shtëpiak i të Sëmurëve në Familje’”, ka thënë Kelmen.

Për Telegrafin, Najqe Kelmen ka rrëfyer se pjesëmarrja e saj ishte rezultat i një kontakti të veçantë që vajza e saj kishte bërë me Motrën Marie Marta.

Vajza e Najqes, e cila tani nuk është më e gjallë, kishte ndihmuar në lidhjen e parë me Motrën Marie duke e sugjeruar që ajo të angazhohej në organizatë.

“Kontakti ka ardhur tamam si një ëndërr, vajza e cila sot është e ndjerë, ka qenë duke u kthyer nga shkolla dhe motra Marie ka shkuar tek një ambulantë dhe ka bërë kërkesë për disa kartonë të pacientëve dhe aty ka qëlluar një shoqe e imja e cila i është drejtuar motrës Marie mos kanë nevojë për infermiere dhe ajo ka pohuar dhe lajmin e gëzueshëm pastaj ma ka dhënë vajza ime e cila më ka thënë që duhesh të shkosh”, ka vazhduar ajo.

Kelmeni filloi punën e saj në “Duart Plot Mëshirë” duke ofruar shërbime të ndryshme për individët dhe familjet në nevojë.

Shërbimet përfshijnë vizita në familje, matjen e tensionit të gjakut, dërgimin e mjekëve në shtëpi, dhe shpërndarjen e medikamenteve, të cilat ofrohen edhe sot.

“Më 12 prill të vitit 2001 unë kam filluar si infermiere në këtë organizatë ku hapat e parë kanë qenë vizitat në familje për ndihmë në çdo aspekt, por starti ka qenë edhe me matjet e tensionit, dërgimin e mjekut marrjen e analizave dhe dhënia e medikamenteve dhe shumë gjërave të tjera”, ka përfunduar Kelmeni.

 

Exit mobile version