Në një botë ku të gjithë fëmijët meritojnë mundësinë për arsimim dhe zhvillim, ekziston një sfidë e veçantë për ata që përballen me ngecje në zhvillim.
Këta fëmijë, të cilët shumica vijnë nga komuniteti rom, ashkali, egjiptian, shpesh përballen me vështirësi të shumta, kërkojnë mbështetje të veçantë për t’u integruar plotësisht në shoqëri.
Për këtë organizata “Duar Plot Mëshirë” ka krijuar programe të veçanta që synojnë të ndihmojnë këta fëmijë të ndjekin mësimin e rregullt, duke marrë mbështetje shtesë përmes aktiviteteve të organizuara jashtë orarit shkollor.
Në lidhje me këtë menaxherja e kësaj organizate Najqe Kelmen për Telegrafin është shprehur se këto programe për fëmijë janë të nevojshme sidomos për ata që kanë ngecje në zhvillim.
Sipas saj numri e fëmijëve që marrin mësime shtesë është 45 veta, të ndarë në dy grupe, atë të paradites dhe atë të pasdites.
“Programi Psikosocial për fëmijë të cilët kanë ngecje në zhvillim e vijojnë mësimin e rregullt por te ne e kanë si mësim shtesë, ku për momentin janë 45 fëmijë të cilët e kanë këtë mbështetje të mësimit, ndahen në dy grupe atë të paradites dhe atë të pasdites, ndarja e mësimit vjen për shkak të mësimit të rregullt që e kanë nëpër shkolla”, ka thënë Kelmen për Telegrafin.
Të gjithë fëmijët të cilët e frekuentojnë këtë organizatë dhe mbajnë mësim shtesë sipas Kelmen transportin e kanë të siguruar nga kjo organizatë dhe pjesa më e madhe e tyre i takojnë komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.
“Këta shkojmë dhe i marrim në shtëpitë e tyre, si të kyçen këtu e kanë lojën në bashkësi, ka shumë rëndësi socializmi në shoqëri kjo na ka shtyrë të kemi një lojë në bashkësi vetëm e vetëm për socializëm të këtyre fëmijëve siç e ceka vijnë nga familje nga kriteri social dhe 70% të këtij programi janë të komunitetit rom, ashkali, egjiptian”, ka shtuar ajo.
Programi i organizatës “Duar Plot Mëshirë” paraqet një shembull të rëndësishëm se si mund të ndihmohen fëmijët me ngecje në zhvillim për t’u integruar në shoqëri dhe për të marrë mbështetjen e nevojshme për të zhvilluar aftësitë e tyre.