Site icon Telegrafi

Duar të buta

Duart janë vazhdimisht në përdorim, ato japin mesazhe, me to punohet dhe ato durojnë ngarkesa të përditshme. Prandaj, këto janë disa nga arsyet e shumta pse duhet të keni kujdes të veçantë për duart tuaja.

Filloni me krem

Lëkura e duarve është shumë e hollë, ajo përmban numër më të vogël të gjëndrave dhjamore dhe çdo ditë i ekspozohet ndryshimeve të temperaturave etj… A e keni ditur se larja e duarve përveç se largon papastërtinë, largon edhe yndyrën mbrojtëse? Për këtë arsye është me rëndësi që duarve t’u ofrojmë kujdesin e duhur me anë të kremit përkatës, i cili është i pasur me substanca ushqyese dhe vitamina, sidomos vitaminë E.

Mos hezitoni që t’i lyeni duart me kremin mbrojtës dhe ushqyes, çdo ditë pas larjes së tyre. Kjo nuk do t’ju merr shumë kohë dhe me kalimin e viteve do ta falënderoni veten për kujdesin që ua keni kushtuar.

Duart e plasaritura dhe të thata kanë nevojë për kujdes shtesë. Para gjumit lyeni ato me krem për lëkurë të thatë me shtresë të trashë. Gjatë natës duart do të përfitojnë më shumë nga kremi, pasi që derisa ne flemë, lëkura rigjenerohet. Për duart e thata dhe të dëmtuara ilaç i mirë janë edhe maskat ushqyese dhe serumet.

Fitnes për duar

Ekspertët kanë treguar se ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë në mes duarve dhe trurit. Për këtë arsye artistët dhe muzikantët i ushtrojnë çdo ditë gishtat e tyre. Nuk është keq që së paku njëherë në javë të ushtrohen duart. Për ta realizuar këtë, më së miri do t’ju shërbejnë dy toptha. Rrotulloni ato ndërmjet shuplakave dhe nganjëherë ndërrojeni kahun e lëvizjes.

Këshillë: Më të mirë janë topthat e gomës që përmbajnë bulbe ovale, të cilat njëkohësisht masazhojnë shuplakat tuaja dhe reagojnë si masazh refleksiv në trupin tuaj.

Larja me parafinë

Një mënyrë shumë e thjeshtë, por shumë e efektshme është larja e duarve me parafinë. Në këtë mënyrë do t’u ofroni kujdes dhe mbrojtje të plotë duarve tuaja të lodhura dhe të plasaritura. Gjatë larjes me parafinë të ngrohtë hapen poret dhe lëkura i thith substancat aktive rigjeneruese dhe ushqyese nga parafina, duke nxitur kështu qarkullimin me të mirë të gjakut. Gjatë trajtimit me parafinë, aroma e mirë relakson gjithë trupin. Trajtimi nuk kërkon shumë kohë dhe përgatitje, zgjat vetëm njëzet minuta, ndërsa në të njëjtën mënyrë mund të përkujdeseni edhe për shputat.

Për larjen me parafinë nuk keni nevojë të vizitoni ndonjë sallon të veçantë kozmetik, por ky trajtim ofrohet edhe në sallonet më të thjeshta, madje edhe në ato ku i rregulloni flokët. Prandaj duke i zbukuruar flokët mund të kënaqeni edhe në kujdesin e këndshëm të duarve. Larja me parafinë mund të jetë trajtim përfundimtar i një trajtimi tjetër, ose si trajtim i veçantë.

Është shumë thjeshtë: Duart zhytni në parafinë të nxehur. Pastaj në duar vendosen dorëza të mëndafshta ku parafina dalëngadalë ftohet brenda 15 minutash. Derisa parafina ftohet, nga ajo lirohen substanca aktive të cilat veprojnë në mënyrë terapeutike. Përveç efektit regjenerues, larja me parafinë në mënyrë të jashtëzakonshme nxit qarkullimin sipërfaqësor të gjakut. Pas trajtimit, lëkura e duarve është e rrafshët, e butë dhe bukur e rinuar.

Shpesh ndodh që mjekët rekomandojnë larjen me parafinë të shputave si terapi për diabetikët, me ç’rast trajtimet e rregullta me parafinë pengojnë vdekjen e indeve në këmbë.

DUART DHE BURIM I ENERGJISË

Zbulojeni fuqinë e cila qëndron në duar: me anë të tyre mund të çliroheni nga energjia, madje edhe mund t’i mjekoni të tjerët…

Ushtrimet për fuqi

Në bazë të besimeve aziatike, pozitat e ndryshme të duarve mund ta nxisin qarkullimin më të mirë të gjakut dhe t’ju ndihmojnë kundër lodhjes. Vendosni duart (pa ngarkesë) prapa kokës. Gishtat e vegjël kapni me njëri-tjetrin, ndërsa të tjerët shtrini. Pas ta bëni këtë, merrni frymë thellë pesë herë dhe nxirreni ajrin. Ndërroni gishtat, këtë herë kapni me njëri-tjetrin gishtat e mëdhenj dhe përsëriteni të njëjtën gjë. Pastaj çohuni në gishtat e këmbëve dhe zgjateni krejt trupin, nga koka deri te thembrat. Ushtrimin mund ta përsëritni kur të doni.

Si mjekojnë duart

Nëse i fërkojmë duart, atëherë do të krijohet energji e nxehtësisë. Biofizikantët janë të bindur se nga ky fërkim formohet edhe energji elektromagnetike. Është pikërisht kjo energji të cilën e shfrytëzojnë personat që pretendojnë se kanë bioenergji. Me anë të energjisë në duar, personat me bioenergji, ua mbulojnë veshët pacientëve të tyre dhe në këtë mënyrë ua forcojnë shëndetin.

Pikat refleksive veprojnë në organe

Duke ngacmuar pika të caktuara në lëkurë, mund të dërgoni impulse drejt organeve të brendshme. Këtë teknikë e kanë përdorur kinezët e vjetër, për të liruar bllokimet e energjisë dhe kështu kanë mundësuar që energjia e jetës (Chi) të kalojë lirshëm nëpër trup.

HAP PAS HAPI

1 dhe 2 Pas rregullimit të thonjve bëhet pilingu i duarve. Me ndihmën e grimcave mikro-kristale nga lëkura ngadalë largohen luspat e thata, ndërsa epidermës i ofrojnë mundësinë e thithjes së kremrave regjenerues dhe mbrojtës.

3 Vendoset maska për duar.

4 Pastaj duart zhyten në parafinë dhe vishen dorëza mëndafshi.

5 dhe 6 Pasi të kalojnë 15 minuta largohet parafina dhe me masazh të lehtë vendoset losion i cili thithet lehtë, dhe me veprimin e tij intensiv, e njomë lëkurën dhe i jep vitalitet. /Telegrafi/

Exit mobile version