Telegrafi

Duan paga më të mëdha, paralizohet trafiku hekurudhor në Gjermani për shkak të grevës së shoferëve të trenave

Greva e shoferëve të trenave në Gjermani ka paralizuar trafikun. Kolapsi ndoshta mund të zgjatet deri në vikend, që nuk do të ishte gjë e mirë për shkak të numrit të madh të turistëve.

Greva e hekurudhave gjermane (Deutsche Bahn) ka paralizuar trafikun të mërkurën, dhe po ndodh pikërisht në kohën kur njerëzit kthehen nga pushimet – duke shkaktuar një kaos total, transmeton Telegrafi.

Greva e sindikatës së shoferëve të trenave (GDL) ka filluar të martën mbrëma, dhe do të duhej të zgjaste vetëm 48 orë – e sipas situatës aktuale rikthimi në normalitet nuk pritet të ndodh deri të hënën.

Trenat e hekurudhave gjermane funksionojnë vetëm në raste të jashtëzakonshme. E disa linja që funksiononin janë zëvendësuar nga autobusët.

Anëtarët e sindikatës vendosën për grevë, pasi që menaxhmenti i hekurudhave gjermane refuzuan kërkesat e sindikatës për rritje të pagës prej 3.2 për qind dhe bonuse për shkak të pandemisë në vlerë prej 600 euro. /Telegrafi/