Site icon Telegrafi

Duaje tënden e mos e shaj!

Shumë shpesh ka ndodhur që prodhime të Serbisë, pas analizave që u janë bërë, të cilësohen si të pakonsumueshme dhe të rrezikshme për jetën e njeriut. Madje, besoj që të gjithëve ju kujtohet skandali në fillim të këtij viti kur Instituti i Shëndetit në Slloveni i kishte publikuar analizat e bëra për ‘Jaffa cakes’, prodhim i Serbisë, në të cilat bëhej fjalë për përmbajtje të një doze të madhe të materieve kancerogjene. Atëbotë, përkundër këtij fakti, tregtarët tanë e vazhdonin shitjen e këtyre produkteve, ndërsa institucionet tona përkatëse një kohë të gjatë nuk ua patën ndaluar këtë aktivitet.

Për çudi, disa njerëz që janë të prirur dhe mezi s’presin t’i komentojnë këto gjëra, kësaj here ‘”nuk e bënin të madhe këtë punë”. Shumë më kishte lënë përshtypje kjo gjë, për shkak se me shumë njerëz të tillë shumë herë kam pasur polemika pas ankesave të tyre se kur kishin blerë x produktin vendor u kishte dalë i prishur, s’kishte qenë i mirë, kishte qenë pa afat, e shumë e shumë arsyetime të ngjashme të cilat i jepnin si arsyetime se pse ata nuk konsumojnë prodhime të vendit. Ndërsa, kur në produktet e huaja ndodh diçka e tillë, nuk i shajnë fare, madje mundohen që vet ti arsyetojnë shkaqet.

Kosova pothuajse më së shumti prodhon produkte bujqësore, sepse këtë edhe e ka potencial. Mënyra se si transportohet, temperatura e vendit ku shiten, drita, terri, etj. janë vetëm disa prej faktorëve të cilët kanë ndikim negativ tek këto produkte dhe sidomos tek produktet e qumështit të cilat janë shumë të ndjeshme.

Pra duke marrë parasysh këta faktorë, është absurde që nëse një ditë e blenë një jogurt apo ndonjë produkt të ngjashëm vendor, dhe ai produkt nuk e ka shijen e duhur ose është i thartë, ankohesh dhe thua se produktet vendore nuk janë të mira. Ai është i thartë sepse shitësi e ka lënë në diell apo diçka e ngjashme e jo pse në fabrikë është prodhuar i tillë. Pastaj nëse ankohesh te prodhuesi për skadencën e afatit është tërësisht e palogjikshme. Shitësi është ai i cili duhet ta hedh apo t’ia kthejë furnizuesit varësisht prej marrëveshjes së tyre.

Nëse bëhemi real, të gjithë e dimë ndonjë rast të tillë edhe me produkte të vendeve tjera. Mua personalisht më ka ndodhur që një jogurt (prodhim i huaj) i cili ka mjaft treg në Kosovë dhe rajon dhe cilësohet ndër më të mirët, të më del i thartë edhe pse ende nuk i kishte skaduar afati. Është gjë që ndodh shumë rrallë, por duhet të jetë e kuptueshme nga të gjithë ne, pa marrë parasysh se ku prodhohet ai produkt.

Gjithashtu, duke u munduar të gjejnë arsye tjetër, ata shumë shpesh thonë “pse me ble prodhime vendore kur çmimi është pothuajse i ngjashëm me produktet e importuara ndërsa kualiteti është më i mirë i prodhimeve të huaja?”. Edhe këtu ka shumë faktorë që ndikojnë që çmimet tona të jenë gati të barabarta me ato të importit. Fajin kryesor këtu e kanë politikat e qeverive tona që prej pasluftës të cilat gjithmonë kanë qenë në mbështetje të tregtarëve e asnjëherë në mbështetje të prodhuesve. Qeveria duhet që t’i inkurajojë tregtarët që të kthejnë vëmendjen kah prodhimet vendore dhe t’iu ikin mallrave nga jashtë e sidomos nga Serbia.

Prodhuesit e vendit obligohen që ta paguajnë edhe taksën doganore 10% e edhe TVSh-në 16%, ndërkohë që produktet e Serbisë hyjnë në Kosovë pa taksë doganore, dhe lirohen nga TVSh-ja në Serbi pasi që Serbia i konsideron ato si eksport. Kjo do të thotë se produktet e Serbisë shiten më lirë në Kosovë sesa në Serbi sepse atje e paguajnë TVSh-në 18% ndërsa tek ne vetëm 16% .

Prodhuesit vendor janë të obliguar që të paguajnë taksa doganore për lëndën e parë dhe për teknologjinë prodhuese gjë që në mënyrë të drejtpërdrejtë i ngrit kostot dhe rrjedhimisht edhe çmimet. Ka edhe shumë e shumë faktorë të tjerë që ndikojnë në ngritjen e çmimeve si problemet me energji, mungesa e subvencioneve për bujq, kamatat e larta të kredive, etj. të cilat nuk do i përmendi detajisht. Prandaj, duke marrë parasysh këto politika të disfavorshme për prodhuesit vendor, çmimet e prodhimeve vendore janë mjaft të ulëta dhe konkurruese në treg.

Këta njerëz për të cilët po flas, përveç që nuk blejnë produkte vendore, i shajnë ato dhe bëjnë propagandë negative për to. Aq shumë është ndërtuar mendimi që prodhimet tona janë të dobëta, sa edhe në rast të konsumimit të tyre i shtyjnë njerëzit të ndihen të një niveli më të ulët apo edhe kursimtarë vetëm pse blejnë prodhime vendore.

Kudo në botë ka fushata për promovimin e prodhimeve vendore. Madje në disa shtete qeveritë kanë realizuar fitore në zgjedhje duke e vënë përkrahjen e prodhuesve të vendit si prioritet në programin e tyre qeverisës. Në vendet e zhvilluara, edhepse çmimet e disa prodhimeve vendore janë më të shtrenjta sesa ato të importit, ato prapëseprapë shiten sepse niveli i vetëdijes së qytetarëve atje është shumë i madh. Ata nuk blejnë perime të importit, sepse ata e dinë që perimet vendore janë rritur pa kimikale dhe janë të freskëta. Ata e dinë se konsumimi i prodhimeve vendore e fuqizon ekonominë e shtetit të tyre sepse paret e tyre mbesin në vendin e vet e jo në shtetet që importojnë produkte. Paraja që ata e shpenzojnë në prodhime të vendit shndërrohet në zvogëlim të papunësisë, në rritje të cilësisë së produktit, në ulje të çmimeve, etj.

Fushata të tilla sikurse “Duaje tënden” e nisur nga Lëvizja VETËVENDOSJE! janë organizuar dhe organizohen kudo nëpër botë, por ajo çka e dallon është se në vendet tjera të botës këto lloj fushatash i organizon dhe i përkrahë qeveria e atij shteti, ndërsa qeveria jonë lëre që nuk i bënë këto të dyja (pra as organizimin e as përkrahjen), por edhe kur dikush e merr një nismë të tillë, ata e luftojnë për shkak se janë aksionar të përbashkët me tregtarët të cilët importojnë produkte të huaja, e kryesisht nga Serbia.

(Autori është aktivist i lëvizjes Vetëvendosje)

Exit mobile version