Site icon Telegrafi

Duaje produktin tënd, sepse është i Kosovës!

Nëse ne e duam tonën dhe e konsumojmë atë, atëherë atë do ta duan e do ta konsumojnë edhe të tjerët…!

Së pari: Ideja është të ndihmojmë vetveten, sepse konsumojmë produkte të shëndosha dhe të besueshme. Qytetarët duhet të vetëdijesohen se në Kosovë ka shumë produkte të vendit, me cilësi dhe kualitet të lartë, të cilat mund t’i zëvendësojnë ato të huajat, posaçërisht ato serbe, në një moment kur prodhimet nga Serbia, me heqjen e masave të reciprocitetit, të mbështetur dhe ndihmuar nga qeveria e tyre rikthehen fuqishëm në tregun e Kosovës.

E qeveritarët tanë, zotohen me thënien: vendimi për reciprocitetin ndryshohet në momentin kur vlerësohet plotësimi i të gjitha kushteve.

Serbia luan lojën e vjetër (Miu dhe Macja) dhe nuk e ndryshon atë fare, i kthejnë sa herë duan ata kamionët tanë, dhe kërkojnë dokumente nga strukturat kriminalo-ilegale që veprojnë në territorin e Kosovës, madje rrahin shqiptarë edhe nëpër vende të punës, e madje-madje këta të çmendur na barrikadojnë rrugët dhe nuk na lënë të lëvizim të lirë tash e sa vite, Na i vranë djemtë tanë që mbrojnë atdheun, e vazhdojmë t’i tolerojmë të bëmat e tyre… Deri kur kështu?

Së dyti: I besojmë prodhuesit sepse është i yni dhe ne i besojmë atij. Biznesmenët bëjnë be, pasha 40 ditët të reciprociteti për bizneset vendore, vlerësojnë se kanë qenë ditët më të mira për ekonominë e Kosovës dhe prodhuesit vendor. Prodhuesit tanë për një muaj dhe dhjetë ditë kanë ngritur dhe përmirësuar kapacitetet teknologjike dhe prodhuese, si dhe ngritje të punësimit në këto kompani.

Pra, prodhuesit vendorë na e kanë treguar të gjithëve “hapin e suksesit” se Kosova ka mundësi, ka kapacitete, ka aftësi dhe dijeni për tu zhvilluar, por politika qeveritare duhet t’i mbrojë, subvencionon, të lobon për bizneset dhe produktet në vend. Duhet të ketë vullnet politik, koncept zhvillimor dhe qëllime të politikave qeverisëse që t’i mbrojë këto produkte vendore dhe t’i vetëdijesojë dhe motivojë qytetarët për t’i blerë dhe konsumuar ato.

Së treti: Ne duhet t’i ndihmojmë shtetit, sepse jetojmë në të, i mire i keq është i yni. Sikur ne ta duam shtetin tonë, sigurisht që punët do t’i kishim shumë më mirë. Desh harrova, po ashtu sikur shteti ynë të na donte, punët dhe përditshmërinë do ta kishim edhe më mbarë.

Është fakt se Kosova që nga viti 2000 ka importuar nga Serbia mesatarisht afër 300 milionë euro në vit, pra për 11 vjet kemi eksportuar më shumë se 3 miliardë euro të parave tona, të cilat kanë shkuar drejtpërdrejt në financimin e ekonomisë së shtetit të Serbisë dhe rrjedhimisht edhe në financimin e buxhetit të Qeverisë së Serbisë dhe strukturave paralele serbe të cilat tash e 12 vite cenojnë integritetin territorial të vendit tonë.

Në fakt kush duhet të duaj shtetin ?

Nëse e pyesim një qytetarë se pse nuk ia paguan shtetit tatimin, ai do të përgjigjej, po shteti çfarë bënë për mua dhe popullin tim që unë të bëjë diçka për shtetin. Pra, që në fillim të bisedës shihet se personi në fjalë nuk e do shtetin dhe për veprimet e tija keqbërëse, arsyetohet duke u “brengosur” edhe për popullin e vetë dhe fatkeqësisht apo qëllimisht harron ta pyet vetën, po mirë unë çfarë bëra unë për shtetin që shteti të bëjë për mua diçka (edhe pse asnjë lëshim nuk i falet shtetit)!

(Autori është Drejtor Ekzekutiv i OJQ “Yellow”)

Exit mobile version