Trajneri i Al-Saddit, Xavi i ka kërkuar klubit të tij aktual që ta lejojë atë të largohet dhe të marrë drejtimin e klubit katalunas, Barcelonës.
Drejtuesit e Barcelonës ishin në Doha të mërkurën për t’u takuar me zyrtarët e Al-Sadd për Xavin, i cili është identifikuar si zgjedhja kryesore e Barçës për të marrë drejtimin pas shkarkimit të Ronald Koeman.
Ndërsa Al-Sadd lëshoi një deklaratë duke thënë se ata synonin të mbanin Xavin, 41-vjeçari tani ka shprehur dëshirën e tij për të “shkuar në shtëpi” në klubin ku luajti si lojtar për 17 sezone.
“Kam folur me Barçën për ditë të tëra, ka mbaruar. Por, tani varet nga bisedat mes klubeve, ata duhet të arrijnë një marrëveshje”, ka thënë fillimisht Xavi pasi Al-Sadd barazoi 3-3 me Al-Duhail të mërkurën mbrëma.
“Barça po vjen për të biseduar, ne jemi të gjithë të etur dhe të emocionuar. Do të shohim nëse do të përfundojë”.
“Unë me të vërtetë dua të shkoj në shtëpi. Shpresoj që kjo të ndodhë. Unë kam një kontratë dhe tani klubet duhet të negociojnë. Ata tashmë e dinë pozicionin tim”, përfundoi spanjolli. /Telegrafi/