Shoqata Down Syndrome Kosova ka njoftuar për një rast dhune fizike që është raportuar se ka ndodhur ndaj një fëmije me sindromën Down.
Sipas DSK-së thuhet se përfaqësuesi i qendrës “OPFAKOS” në Pejë me inicialet I.B, ka ushtuar dhunë ndaj një fëmije me sindromën Down.
Rasti thuhet se ka ndodhur më 6 korrik të këtij viti në hapësirë publike në plazhin e Velipojës në Shqipëri.
“Të shqetësuar ju njoftojmë se përmes medias sociale, Facebook kemi pranuar raport dhune ndaj një fëmije me sindromën Down të ushtruar nga përfaqësuesi i qendrës së OPFAKOS në Pejë, me inicialet I.B, në praninë e stafit të OJQ-së në fjalë dhe pjesëmarrësve të tjerë. Dëshmitari i pranishëm M.M (i gatshëm të dëshmoj para organeve kompetente) raportoj se me datë 6 korrik 2023 në hapësirë publike, plazh në Velipojë, Republika e Shqipërisë, i lartë cekuri ka ushtruar dhunë fizike dhe më pas e ka hedhur në ujë fëmijën duke ia rrezikuar jetën”, thuhet në njoftimin e DSK-së.
DSK thekson se kanë kontaktuar prindin e fëmijës i cili e ka konfirmuar që personi në fjalë ka ushtruar dhunë ndaj fëmijës së tij, por për arsye të panjohura nuk ka pranuar të denoncoj rastin.
“DSK dhe komuniteti i personave me sindromën Down dënon ashpër veprën e kryer nga z.I.B si dhe i bëjmë thirrje të gjitha organeve ligj zbatuese që rasti në fjalë të trajtohet në mënyrë të drejtë dhe profesionale”, thuhet në reagimin e shoqatës.
Telegrafi ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore të Pejës, të cilët kanë thënë se janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.
“Me të parë reagimin publik të këtij rasti, Prokurori i Shtetit ka autorizuar menjëherë Policinë e Kosovës për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme”, tha zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi. /Telegrafi/