Fshati Greme, i cili ndodhet pak kilometra larg Ferizajt, mban një histori në vete.Ai përbëhet nga lagje të shumta dhe secila nga to ka nga një karakteristikë.
Ndër to është edhe lagjja Varvare, e cila ka qenë ndër më të vizituarat, për shkak të një druri qindra vjeçar.
Isak Tahiri, banor i fshatit, ka thënë se kjo pemë ka një histori interesante. Dhe për banorët konsiderohet i shenjtë.
“Në bazë të matjeve që bëjnë të moshuarit me rrathë, ky dru duhet të ketë 600 apo 700 vjet. Ky vend për shkak të këtij lisi ka qenë vend shumë i frekuentuar. Edhe ushtria jugosllave ka ardhur e ka xhiruar disa herë këtë lis dhe e kanë quajtur ‘shenjë ushtarake’. Një pjesë e këtij druri ka rënë në tokë. Kemi marrë drurin dhe askush nuk ka guxuar ta djegë. Kanë thënë është i shenjtë e nuk bënë të digjet”, shprehet banori Isak Tahiri.
Pothuajse të gjithë në këtë fshat janë të ardhur nga vende të ndryshme.
Banori Bedri Maliqi, i cili është shpërngulur nga Kashtanjeva për në këtë vend, ka thënë se Gremja ka ndryshuar shumë nga koha kur ai është shpërngulur.
“Kemi ardhur këtu nga viti 1961. Ka qenë vend i mirë por në bjeshkë pak është më vështirë të jetohet. Në grema kemi gjetur rreth 40 shtëpi, tash janë mbi 200 sosh. Në këtë fshat merremi me bujqësi, punojmë tokën. Të rinjtë kanë ikur jashtë”, thotë Bedri Maliqi, përcjell Telegrafi.
E, pothuajse si në çdo fshat edhe në Greme, bujqësia dhe blegtoria kanë qenë shumë të zhvilluara.
Ndërsa sot, sipas banorit Sylejman Tahiri, ky vend është i njohur për përpunimin e drurit.
“Fshati Greme tash ka rreth 1,200 shtëpi. Ndahet në disa lagje. Kanë ardhur njerëz nga fshati Kashtanjevë. Më parë banorët janë marrur me bujqësi, sot merren thuajse të gjithë me mobileri”, deklaroi Sylejman Tahiri.
Druri 700 vjeçar mbetët simbol i Gremës, ka thënë 74 vjeçari Isak Tahiri, duke shtuar se si në kohët e kaluara edhe sot është vendi ku mblidhen i gjithë fshati./RTV Dukagjini/Telegrafi/