Telegrafi

Droni i policisë zbulon parcela me kanabis në Velipojë, arrestohet 24-vjeçari dhe shpallet në kërkim një tjetër

Policia e Shtetit ka njoftuar sot se gjatë kontrollit të territorit ka zbuluar dhe goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike në Velipojë të Shkodrës.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, në vijim të kontrolleve të territorit, për të evidentuar dhe goditur rastet e kultivimit të bimëve narkotike, falë përdorimit të dronit, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë finalizur operacionin “Luarzë”, gjatë të cilit është evidentuar dhe goditur një rast i kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Luarzë, Velipojë, Shkodër.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi B. H., 24 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi R. B., 27 vjeç, të dy banues në Shkodër.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Luarzë, kanë gjetur 560 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat dyshohet se shtetasi B. H. i ka kultivuar në bashkëpunim me shtetasin R. B.

Vijon puna për kapjen e shtetasit R. B. dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. /Telegrafi/