Policia Kufitare në Qafëthanë ka sekuestruar një sasi droge të fshehur në paleta druri, të cilat transportoheshin me kamion nga një shtetas maqedonas, raporton Top Channel.
Sipas njoftimit të policisë, mjeti i tipit “Volvo” me targa të Ohrit, që drejtohej nga shtetasi N.D, 40-vjeçar nga Maqedonia, transportonte paletat në rimorkion e trailerit. Ky mjet iu nënshtrua kontrollit me skaner në vijën e dytë, pas dyshimeve se transportonte drogë. Nga kontrolli i detajuar, në pjesën e brendshme të çdo palete u konstatuan vende të përshtatura, në të cilat ishin fshehur kuti plastike të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar si cannabis sativa.
Ekspertët e policisë me orë të tëra kanë punuar për nxjerrjen e të gjitha kutive plastike dhe peshimin e sasisë së drogës që fshihet aty. Shoferi maqedonas është arrestuar në flagrancë.