Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka deklaruar se është i gatshëm të kandidojë për degën e LDK-së në Prizren.
Selmanaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se interesimi i madh e kandidaturave për kryetar të LDK-së tregon se ka një emancipim të partive politike në Kosovë.
Ai ka thënë se tashmë vet ka shprehur interesimin për të drejtuar degën e LDK-së në Prizren.
“Në degën e Prizrenit do t’i fillojmë zgjedhjet me 15 prill. Unë kam shprehur interesimin tim që t’i ofrohem LDK-së për të garuar në këtë pozitë. Normalisht që varet prej nëndegëve dhe nëse Kuvendi [i degës] do të më jap të drejtën të dominohem. Jam ofruar dhe jam i gatshëm të marrë përgjegjësi në atë degë”.
Deputeti i LDK-së, siç përcjell Telegrafi, ka thënë se është mirë për personat që kanë ambicie politike të angazhohen në subjekte politike.
“Angazhimi politik në Kosovë sot është mision bukur i vlefshëm. Kushdo që merr guximin intelektual të bëj një angazhim politik, me gjithë sfidat që kanë partitë politike i bënë shërbim të mirë vendit, ndryshe do të mbesim në studio televizive duke dhënë kritika e gjërat të mbesin të njëjta”, tha ndër të tjera Driton Selmanaj.
Kujtojmë sot (premte), kandidaturën për kryetar të degës së LDK-së në Prizren e ka bërë edhe deputeti tjetër i kësaj partie, Anton Quni./Telegrafi/