Telegrafi

Driton Lajçi jep dorëheqje nga pozita e drejtorit të zyrës për mbrojtje juridike për të akuzuarit e Speciales

Ka dhënë dorëheqje Driton Lajçi, drejtor i zyrës për mbrojtje juridike për të akuzuarit e Gjykatës Speciale.

Lajçi ishte intervistuar nga Prokuroria në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit, me pretendimet se ka zbuluar fshehtësitë zyrtare që lidhen me përpjekjet për pengim të hetimeve që po i kryen prokuroria e Speciales.

Avokati i Driton Lajçit, Artan Qerkini, ka thënë se arsyeja prapa largimit të Lajçit nga Zyra për mbrojtje juridike të personave potencialisht të akuzuar nga Gjykata Speciale, ndërlidhet me përfundimin e mandatit dyvjeçar për të cilin është emëruar.

Qerkini ka thënë se nuk është pranuar asnjë aktakuzë në lidhje me Driton Lajçin.

“Kurrfarë aktakuze në lidhje me Driton Ljaçin nuk kemi pranuar, ndërsa largimi i tij nga Zyra për mbrojtje juridike të personave potencialisht të akuzuar nga Gjykata Speciale, ndërlidhet me përfundimin e mandatit 2 vjeçar për të cilin është emëruar”, ka thënë Qerkini për KOHËN.

Por mandati i Driton Lajçit në Divisionin për koordinimin e procesit për mbrojtje juridike dhe mbështetje financiare të personave të akuzuar potencial nga Gjykata Speciale ende nuk ka mbaruar.

Në fakt ai është emëruar më 26 nëntor të vitit 2018, nga ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

E në vendimin e emërimit specifikohet se mandati zgjatë deri më 25 nëntor, përkatësisht derisa të mos merret ndonjë vendim tjetër.

Si udhëheqës i Divizionit për koordinimin e procesit për mbrojtje juridike dhe mbështetje financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara ai raporton tek ministri i Drejtësisë në aspektin operacional, ndërsa në aspektin administrativ tek Sekretari i Përgjithshëm.