Telegrafi

Dritës i mjaftojnë 10 minuta ndaj Drenicës, vije fitorja e parë në Gjilan

Drita ka arritur fitoren e parë në shtëpi para adhuruesve të saj.

Gjilanasit fitoren e parë para tifozëve të tyre e arritën me rezultat 3-0 ndaj Drenicës.

Drita që nga minuta e parë kërkonte me ngulm golin e epërsisë në përballje ndaj Drenicës.

Përparim Livoreka provoi në minutën e 24-të të shënoj por topi i devijuar nga mbrojtësit mysafir kaloi pranë shtyllës.

Një minutë më vonë, Xhevdet Shabani me një goditje të fortë rrezikoi por pa sukses.

Disa minuta para përfundimit të pjesës së parë, Dukagjin Gashi tentoi nga distanca por Halimi i Dritës ishte në vend.

Me rezultatin e bardhë 0-0 përfunduan 45 minutat e kësaj sfide.

Drita golin e epërsisë e gjeti në minutën e 58-të nëpërmjet sulmuesit Përparim Livoreka.

Gjashtë minuta më vonë, gjilanasit dyfishuan epërsinë kur shënoi sulmuesi qendror Kastriot Rexha.

Por skuadra e udhëhequr nga Milaim Zuzaku nuk u ndal me kaq, pasi në minutën e 68-të realizuan edhe golin e tretë në këtë përballje.

Shabani u ndal në zonë, ndërsa nga pika e bardhë shënoi Fidan Gërbeshi.

Edhe në minutat e ardhshme Drita kërkonte gola të tjerë por nuk ia arriti një gjëje të tillë.

Pas kësaj fitore, Drita ka grumbulluar shtatë pikë dhe zë pozitën e shtatë në tabelë, ndërsa Drenica me katër pikë ndodhet në vendin e 10-të.

Drita javën e ardhshme do ta zhvilloj si mysafire tek Vllaznia e Pozhoranit, por në mungesë të stadiumit skuadra e futur në elitë do ta zhvilloj ndeshjen në Gjilan.

Ndërkohë Drenica do të luaj ndeshjen ndaj Flamurtarit në Skënderaj. /Telegrafi/