Site icon Telegrafi

Dritëroi dhe debati për të shkuarën

Agim Baçi

E gjithë ceremonia mortore për Dritëro Agollin ishte një refuzim ndaj fuqisë së vdekjes dhe një nënkuptim se, nostalgjia dhe idhujtaria për figurat e formësuara në dhe për diktaturën komuniste ka ende një forcë të jashtëzakonshme në mentalitetin e shoqërisë shqiptare. “Nuk ka kuptim fjala ‘largim’ për Dritëroin”, tha në fjalën e tij në ceremoni Moikom Zeqo, fiks pas 50 viteve kur bashkë me shumë bashkëmendues si vetë ai, u kishte vënë kazmën kishave dhe xhamive në Durrës, duke propaganduar se vdekja fizike është fundi i gjithçkaje. Në fakt, atë ditë, vetëm Dritëroi ishte nisur për në botën tjetër, ndërsa ajo që shkroi mbeti këtu, për të pasur gjykim sot dhe nesër nga ata që do vijojnë të lexojnë, pa pasur në të ardhmen ndonjë ndikim nga e shkuara komuniste.
Ky refuzim ndaj vdekjes është sot një sëmundje botërore, që vjen nga konsumizmi. Por në Shqipëri, kjo ka një shtresëzim jo të vogël nga ish-diktatura, që nuk pranonte dy botë, por vetëm njërën aty ku njeriu u soll si kafshë pa asnjë besim, pa asnjë moral, përveç moralit që sugjeronte Partia.

Por, në fakt, a kishte ndonjë përgjegjë- si Agolli për atë që ndodhi në shoqërinë shqiptare, e sidomos në Lidhjen e Shkrimtarëve të asaj kohe? A mund të sillej pas vitit 1990 ndryshe me atë të shkuar ku kishte qenë herë dëshmitar e herë bashkëpunues i makinerisë kriminale?

Të gjitha dokumentet e botuara për regjimin komunist kanë konfirmuar se Lidhja e Shkrimtarëve, Kinostudio dhe të gjitha institucionet kulturore ishin ndër me të kontrolluarat nga sistemi dhe se nuk kishe asnjë shans të mendoje ndryshe nga ç’mendonte Partia, nga ç’sugjeronte Enveri, Byroja, e më pas edhe Sigurimi i Shtetit. Dhe, dihet, se librat që aprovoheshin për botim, teatrot apo filmat, kishin vulën e njeriut të ri – njeriut që i duhej partisë për të vijuar sistemin.

Pikërisht këtu duhet të pohojmë se hyn përgjegjësia e Agollit, pasi askush nuk e pengoi atë burrë që në këto 25 vite të rrëfente atë laborator kriminal të asaj kohe, që helmoi breza të tërë, duke sugjeruar vetëm literaturë që shpëlau njeriun nga gjithçka njerëzore. E duke qenë se libri, filmi e teatrot e kohës krijuan njeriun e ri- njeriun që vijon ende të jetë aktiv në shumë fusha të shoqërisë- atëherë Agolli mund t’i bënte një shërbim të jashtëzakonshëm vendit të tij, duke rrëfyer gjithçka që ishte gatuar me helm për brezat. Por nuk e bëri. Dhe kushdo që ka parë intervistat e Agollit në të gjithë këto vite, ka parë që ai besoi deri në fund tek ideologjia komuniste, se këmbënguli në ateizmin e tij.

Atëherë, përse ajo ceremoni u bë nën moton e gjeniut të letrave? Përse nxituan dhjetëra e dhjetëra njerëz që të përcaktonin “gjeniu i kohës”? Kjo ndodh për faktin e thjeshtë, sepse shumica prej atyre vijojnë të mendojnë nën atë edukim që kishin marrë nga ajo literaturë që Agolli kishte aprovuar. Sepse shumica e atyre vijojnë të mendojnë ashtu, si dikur dhe se Liria nuk i ka hapur asnjë derë komunikimi me të vërtetën.

Ne nuk kemi pse të bëhemi hipokritë sot e të kërkojmë se, përse nuk e kundërshtoi Agolli sistemin, sepse gjithkush e di fundin e atyre që e bënë këtë hap. Por ama, nuk mund të vijojmë hipokrizinë dhe të mos pranojmë se ishte në detyrimin e tij moral, për shkak të popullari tetit që gëzonte, që të rrëfente laboratorin kriminal, të rrëfente për ndëshkimet e ish-kolegëve të tij.

Personalisht di histori shkrimtarësh dhe aktorësh, të cilët Dritëro Agolli i ka shpëtuar nga ndëshkimi i kohës. Por a i japin disa histori pozitive moralin e heshtjes? Jo, dhe askush nuk mund të thotë se disa përjashtime e largojnë atë nga përgjegjësia. Sepse ai ishte një ndër më të informuarit, të paktën formalisht, për atë që ndodhte me shkrimtarë e artistë. Por Agolli nuk ka folur as kur është kërkuar të flitet për dosjen e Lidhjes së Shkrimtarëve.

Por pse kjo heshtje nga Agolli kur kishte mundësi të fliste kudo dhe kurdo? Dyshimet më të mëdha janë te fuqia që vazhduan të kishin ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të ish-Lidhjes së Shkrimtarëve, të cilët më pas u futën në politikë, u futën në trupat akademike, u bënë botues dhe përfaqësues të botimeve dhe të medias. Pikërisht kjo heshtje rëndon mbi Agollin. Sepse mungesa e guximit për t’u rrëfyer të rrëzon disi titullin e “Burrit të Madh” që politika deshi t’ia jepte. E ndoshta për këtë heshtje edhe është përcjellë me aq bujë e duartrokitje, pasi e kanë duartrokitur ata që dëshironin të ikte pa folur.

Ndërkohë, lidhur me veprën e Agollit, ka të drejtë Mark Marku, teksa e konsideron më të talentuar se shumë shkrimtarë të asaj kohe, por njëkohësisht edhe autor që rrezikon të humbasë shkëlqimin dhe rënien gjatë rishikimit të letërsisë. E ndoshta ky është debati ku duhet të ndalemi për Agollin dhe shumë shkrimtarë të tjerë të asaj kohe, pasi kemi nevojë për një ridiskutim të letërsisë së shkruar në diktaturë, që, të paktën fëmijëve, t’u shpjegojmë ç’ka ndodhur me laboratorin antinjerëzor të letërsisë nën diktaturën komuniste. Të paktën, ajo letërsi e shkruar mund të jetë dëshmitarja më e madhe e kriminalizmit që i bëri sistemi gjithë shoqërisë, duke e denatyruar, duke e larguar nga vetja.

Exit mobile version