Agjenci të specializuara në luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar (pjesë të raporteve të tyre kanë dalë pjesërisht në media) janë vënë në lëvizje për çmontimin e këtij rrejti kriminal. Duket se tek ministri i Brendshëm teknik, i propozuar nga PD, Dritan Demiraj, kanë gjetur një mundësi të mirë bashkëpunimi.
Gjithnjë brenda këtij aksioni që sapo ka nisur, një burim i tha portalit lapsi.al se pritet që mbi 100 urdhra për lëvizje të zyrtarëve të lartë të policisë, oficerë me grada nga nënkomisar e lartë, do të vihen në zbatim këto ditë.
Bëhet fjalë për shkarkime, transferime, si dhe emërime të reja, të cilat do të mbajnë firmën e ministrit Demiraj.
I njëjti burim tha se me shumë gjasë, disa prej vendeve partnere, veçanërisht SHBA, i kanë kërkuar kryeministrit Rama mbajtjen në detyrë të Dritan Demirajt, pavarësisht se ai i përket opozitës.
Në disa deklarata publike, zyrtarë të ndryshëm amerikanë, kanë nënvizuar nevojën që mazhoranca e re të shohë mundësinë e një qeverisje me bazë më të gjerë dhe një bashkëpunim konstruktiv me opozitën. Kjo ndoshta shihet si garanci që qeveria Rama 2, tani që i ka dhe numrat të pakushtëzuar në Kuvend, të mos rrëshkasë në degradim siç thuajse ndodhi në mandatin e parë në raport me krimin dhe trafikun e drogës.
Sinjalet për këtë strategji të re duhet t’i kenë shkuar edhe opozitës, e cila po bën kujdes mos t’i përdorë politikisht informacionet dhe faktet që po zbardhen dita- ditës e që tregojnë implikimin e qeverisë së shkuar në trafikun e drogës.
Nuk është çudi që Lulzim Basha të ketë dhënë konsensus që PD të bëhet në një farë mënyre pjesë e qeverisë pas 9 shtatorit. Me argumentin e kushtëzimit dhe kontrollit ndaj shumicës së re, PD mund të pranojë disa portofole ministrash, duke ruajtur në dukje “teknicitetin” e marrëveshjes së 18 majit të kaluar. Dhe, mes tyre, emri i Demirajt është më i sigurti.