Kampioni në fuqi i Kosovës, Drita ka marrë edhe një fitore të radhës derisa ka mposhtur Ferizajn në udhëtim 1-2.
Ferizaji e nisi mirë ndeshjen kur rrezikuan për herë të parë në minutën e 10-të nëpërmjet Dren Gashit, por që goditja e tij u prit nga Mario Kirev.
Drita tentoi me Endrit Krasniqin dhe sulmuesin Kyrian Nwabueze por që goditjet e tij u pritën nga Armend Blakçorri.
Ferizaj arriti të kaloj në epërsi në minutën e 26-të të ndeshjes.
Arbër Mone harkoi për mrekulli në zonë nga gjuajtja e lirë ndërsa Qëndrim Dautaj shënoi me kokë për 1-0.
Me epërsinë minimale të vendasve përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Drita e nisi për mrekulli pjesën e dytë kur barazoi rezultatin me Nwabuezen në minutën e 54-të 1-1.
Kampioni në fuqi i Kosovës ka mundur të shënonte golin e epërsisë sikur të ishin më të saktë Nwabueze, Xhevdet Shabani e Haxhi Neziraj në rastet që kishin.
Por në minutën e 88-të, Ferizaj pati një rast të mirë me golashënuesin Qëndrim Dautaj, por që goditja e tij u prit nga Kirev.
Kampioni në fuqi golin e fitores e arriti në minutën e 91-të, kur pas asistimit nga Filonit Shaqiri, Xhevdet Shabani realizoi një gol spektakolar për 1-2.
Kësisoj Drita fitoi ndeshjen e gjashtë në shtatë takimet në pranverë dhe mban pozitën e katërt në tabelë me 41 pikë të tubuara.
Ferizaj vazhdon të mbetet në pozitën e 10-të në tabelë me 25 pikë.
Ndeshjen e ardhshme Ferizaj do ta luaj në udhëtim te Llapi, ndërsa Drita do të jetë nikoqir i KEK-ut. /Telegrafi/