Skuadra e Dritës ka vazhduar me serinë e mirë duke shënuar edhe fitoren e katërt rresht. Bardhekaltërit nga Gjilani e mposhtën kësaj radhe teleboysat e RTV 21-shit me rezultat 84-90.
Se fitorja do t’i takojë Dritës, u pa që nga çereku i parë, në të cilin 21-shi u ndal në vetëm 9 pikë, karshi 25 pikëve të Dritës.
Megjithatë çereku i parë në njëfarë mënyre u tregua jo edhe aq real. Ekipi i trajnerit Adin Adinovic, që ishte në disavantazh deri në -20 pikë (11-31), dalëngadalë filloi ta përmbys disavantazhin. Madje, edhe 46 sekonda pa përfunduar ndeshja, epërsia e lartë e Dritës u shkri në vetëm 3 pikë (80-83).
Megjithatë, efikasiteti në fund nga vija e gjuajtjeve të lira të Adem Dushicës, Joe Minceyt dhe të Brain Towner-it, bënë që ndeshja të përmbyllet në të mirë të ‘intelektualëve’.
Më meritorët në fitoren e Dritës ishin Kason Cheeks me 26 pikë dhe Joe Mincey me 20 pikë, të cilët luajtën gjatë tërë takimit duke mos u zëvendësuar fare, derisa Fisnik Mehmeti ishte i pakonkurentë nën kosh duke mbledhur hiq më pak se 20 topa, prej të cilave 7 në sulm.
Kurse te teleboysat më të mirët ishin të sapoardhurit, Keith Gabriel, me 31 pikë dhe Trey Hempton me 24 pikë e 12 kërcime. /Borozani/Telegrafi/