Telegrafi

Drita shumë e fortë për Malishevën, fiton me ‘poker’ golash në ‘Liman Gega’

Drita ka marr një fitore të rëndësishme si mysafir i Malishevës me rezultat 4-2 në kuadër të javës së shtatë në Superligën e Kosovës.

Me të filluar ndeshja, Drita fitoi penallti, pasi Dren Kryeziu luajti me dorë në zonë.

Nga pika e bardhë doli të jetë i saktë Besnik Krasniqi për 1-0, në minutën e 9-të të takimit.

Por nuk vonoi shumë dhe Malisheva barazoi shifrat me Marc Olivier në minutën e 21-të, duke gjetur rrjetën me një goditje të saktë.

Vendasit kanë mundur të shkojnë në pushim me epërsi, pasi fituan penallti, por Alban Shillova u ndal nga Faton Maloku.

Drita e nisi furishëm pjesën e dytë, duke shënuar në minutën e 52-të me Marko Simonvoskin, i cili përfitoi nga një top i kthyer nga portieri për 2-1.

Në minutën e 64-të, gjilanasit siguruan fitoren, kur Almir Kryeziu përfitoi nga një tollovi në zonë për të shënuar për 3-1.

Pas këtij rezultati ra loja paksa, me Dritën që menaxhonte dhe vazhdonte të ishte më e rrezikshme.

Almir Ajzeraj gjeti edhe ai rrjetën në minutën e 80-të, kur mori një asistim nga Blendi Baftiu për të shënuar për 4-1.

Krejt në fund kishte kohë edhe për një gol të Malishevës që erdhi me Drilon Hazrollajn për 4-2.

Pas kësaj fitoreje Drita mbetet lider me 17 pikë, duke krijuar një ecuri pozitive prej pesë fitoreve dhe dy barazime.

Malisheva që këtë ndeshje ishte pa trajner pas largimit të Arsim Thaqit, ka 7 pikë dhe mban vendin e tetë. /Telegrafi/

Standings provided by SofaScore LiveScore