Drita ka shpëtuar në fund, pasi në minutat shtesë ka gjetur golin e barazimit 1-1 ndaj Trepçës ’89 në kuadër të javës së gjashtë në Ipko Superligën e Kosovës.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë dhe raste nga të dyja skuadrat, por ishin vetëm mysafirët që gjetën golin.
Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 27-të dhe ishte Arb Manaj që shënoi për 0-1 pas gabimit të portierit të Dritës.
Mysafirët tentuan edhe me Leart Eminin (4′, 13′), por goditjet e tij shkuan mbi portë, ndërsa Drita pati rast të mirë me Gilberto Fortunadon (42′), goditja e të cilit u prit nga portieri mysafirë.
Në pjesën e dytë, përsëri u zhvillua lojë e barabartë me Dritën që provonte barazimin me aksione dhe 89-shin që kërkonte golin tjetër me kundërsulme.
Te Drita rastet më të mira ishin ato të Gilbertos (50′, 80′), ndërsa te Minatorët ato të Muharrem Jasharit (49′), Manaj (63′) dhe Diaëara (73′), por shifrat mbeten të pandryshuara deri në minutat shtesë.
Në minutat shtesë ishte braziliani Gilberto, i cili shënoi nga afërsia për 1-1 dhe vulosi rezultatin përfundimtar.
Pas këtij barazimi, Drita e sheh veten në vendin e tretë me 11 pikë, ndërsa 89-shi renditet i shtati me gjashtë pikë. /Telegrafi/