Drita ka arritur të rikthehet te fitorja pas tri barazimeve radhazi.
Gjilanasit kishin përballë Besën e Pejës të cilën e mposhtën me rezultat të pastër 2-0.
Drita në këtë takim hyri tri barazimeve radhazi dhe kishte presion të madh për ta fituar ndeshjen.
Rasti i parë i mirë në ndeshje erdhi vetëm pas 30 minutave lojë, pasi të dyja skuadrat luanin kujdesshëm.
Xhevdet Shabani harkoi bukur për Viktor Kukën por ky i fundit nuk arriti të shënoj pas goditjes së tij.
Pesë minuta më vonë, Kastriot Rexha tentoi të shënoj por pa sukses.
Pjesa e parë u mbyll me dominimin e Dritës por pa arritur të shënoj gol dhe kështu përfundoi baras 0-0.
Golin e parë gjilanasit e arritën në minutën e 68-të, kur pas harkimit në zonë nga Përparim Livoreka, Kastriot Rexha shënoi për 1-0.
Ndërkohë goli i dytë për Dritën erdhi 10 minuta para fundit të ndeshjes, me autor Xhevdet Shabanin.
Kësisoj pas këtyre tri pikëve të reja, Drita është ngjitur në pozitën e tretë në tabelë me 21 pikë të grumbulluara, derisa Besa mbetet me 13 pikë në pozitën e 10-të.
Javën e ardhshme Drita luan në udhëtim te Flamurtari, ndërsa Besa do të jetë nikoqire e Feronikelit. /Telegrafi/