Drita ka arkëtuar pikët e plota në kuadër të xhiros së 21-të të IPKO Superligës së Kosovës në futboll.
Kampioni në fuqi i Kosovës ka arritur të përmbys gjithçka për të triumfuar si mysafirë kundër Ballkanit të Suharekës me rezultat 2:1.
Pjesa e parë ishte e baraspeshuar sa i përket rasteve dhe posedimit të topit, megjithatë 45 minutshi u përmbyll me epërsinë e vendasve.
Jetmir Topalli u gjend më së miri në zonën e rreptësisë së gjilanasve pas një harkimi të Arbër Potokut dhe realizoi gol me kokë në 13 minutë.
Ardian Limani (’27), Kyrian Nwabueze (’37) dhe Liridon Leci (’39) nuk arritën të realizojnë golin e barazimit edhe pse ishin shumë afër.
Rastin më të mirë për mysafirët e pati Përparim Osmani, i cili në 43 minutë goditi shtyllën e “Xhebrailave”.
Por, “Intelektualët” arritën që fillimisht të barazojnë rezultatin dhe më pas të përmbysin gjithçka në pjesën e dytë.
Haxhi Neziraj realizoi i pari për bardhekaltërit në të 57 minutë pas një aksioni të rrjedhshëm të bashkëlojarëve.
Njëzet minuta para përfundimit të takimit, kampionët arritën të dalin në epërsi përmes Kyrian Nwabuezes, ku asistues ishte Xhevdet Shabani.
Dardan Jashari pati rast të mirë që të barazoi rezultatin, por portieri Kirev nuk e lejoi një gjë të tillë në të 76 minutë.
Nwabueze në kohën shtesë të takimit u gjend përballë portierit Armend Ruxhi, i cili i mohoi golin e dytë, përkatësisht të tretin të skuadrës mysafire.
Deri në fund të ndeshjes më nuk pati raste për t’u veçuar dhe kështu ndeshja përfundoi në dobi të mysafirëve me rezultat 2:1.
Pas kësaj, Drita mbetet në pozitën e katërt të renditjes tabelore me 32 pikë gjersa Ballkani zë vendin e tetë me 27 pikë. /Telegrafi/