Telegrafi

Drita mposhtet edhe nga Bashkimi, e përfundon stinorin pa fitore

(Foto: basketbolli.com)

Bashkimi e ka mundur Dritën, në takimin që u zhvillua në Prizren, për shkak të problemeve të gjilanasve me palestrën.

Prizrenasit shënuan fitore me shifrat 83-112 (16:24, 29:27, 20:36, 18:25), në kuadër të xhiros së 14-të në Art Motion Superligën e Kosovës në basketboll.

Ndeshjen më mirë e nisën prizrenasit, duke pasur epërsi deri në 13 pikë, 8:21, dhe ishin më të mirë në çerekun e parë, duke e fituar këtë pjesë 16:24. Periudha e dytë ishte shumë më e baraspeshuar, me gjilanasit që u rikthyen shpejt dhe arritën të ngushtojnë shifrat në 45:46, ndërsa pjesa e parë përfundoi me rezultat 45-51.

Dallimi i madh dhe vendimtar u bë në periudhën e tretë. Prizrenasit ishin shumë më të mirë në këtë pjesë, duke u shkëputur në 20 pikë, 51:71, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 65:87. Në dhjetë minutat e fundit, basketbollistët e Bashkimit menaxhuan lojën dhe epërsinë, duke triumfuar me shifrat 83-112.

Te Drita u dalluan Qëndrim Demi me 29 pikë e 10 kërcime dhe Isaiah Johnson me 19 pikë e 10 kërcime, kurse te Bashkimi u dalluan Andi Shehu me 22 pikë e 10 kërcime, Julien Lewis me 20 pikë, pesë kërcime dhe tetë asistime, si dhe Bunjaku me 24 pikë, pesë kërcime dhe tetë asistime.

Drita e përfundon stinorin vjeshtor me 14 humbje në 14 ndeshje, duke qenë skuadra e vetme pa fitore në elitë, kurse Bashkimi ka tetë fitore dhe gjashtë humbje.