Telegrafi

Drita mposhtë Hajvalinë, barazim në Ferizaj

Drita ka bërë detyrën ndaj skuadrës së rënë nga elita e futbollit kosovar Hajvalisë duke e mposhtur me rezultat 2-0.

Gjilanasit që nga minuta e parë kanë sulmuar portën e mysafirëve duke kërkuar golin e epërsisë.

Por edhe përkundër rasteve të mira të shënimit, 45 minutat e para përfunduan me rezultat të bardhë 0-0.

Drita arriti të shënoi golin e parë në minutën e 58-të, nëpërmjet Semir Zenelit që shënoi nga afërsia.

15 minuta më vonë, gjilanasit dyfishuan epërsinë falë sulmuesit prishtinas Dren Gashit që shënoi për 2-0.

Edhe pse triumfoi ndaj Hajvalisë tashmë të rënë, Drita do ta ketë tejet të vështirë t’i ik barazhit.

Pas kësaj fitore bardh e kaltërit kanë 29 pikë dhe ndodhën në pozitën e 10-të.

Ndërkohë ndeshja mes Ferizajt dhe Gjilanit nuk ka sjellë fitues 0-0.

Të dyja skuadrat kishin disa raste të mira shënimi por që nuk i konkretizuan.

Pas 31 javëve, Ferizaj ndodhet në pozitën e nëntë me 31 pikë, ndërkohë Gjilani në të pestën me 45 pikë. /Telegrafi/