Telegrafi

Drita me mision për ta përmbysur rezultatin ndaj F91 Dudelange

Foto: By Albert

Drita është duke i bërë përgatitjet e fundit për ndeshjen më të rëndësishme të vitit. .

Kampionia e Kosovës u mposht nga F91 Dudelange në ndeshjen e parë të rrethit të dytë kualifikues të Ligës së Evropës, 2-1 javën e kaluar, shkruan sot gazeta Zëri.

Sidoqoftë, gjilanasit nuk janë dorëzuar assesi. Ata besojnë se mund ta bëjnë përmbysjen e madhe të enjten mbrëma në ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Adem Jashari”, në Mitrovicë.

Kërkojnë mbështetje nga tifozët

Trajneri Bekim Isufi për ta arritur një gjë të tillë thotë se nevojitet mbështetja e madhe nga tifozët, jo vetëm nga ata gjilanas.

“Më së shumti na duhet ndihma e tifozerisë, sidomos e ‘Intelektualëve’. Ata kanë ditur të na mbështesin dhe të na përkrahin gjithmonë. Këtë radhë na nevojitet ndihma nga tifozët e gjithë Kosovës, në mënyrë që Drita ta arrijë maksimumin, pasi në këtë mënyrë do të tregoheshin vlerat edhe të futbollit kosovar, që t’u tregojmë të gjithëve se dimë të luajmë futboll”, deklaroi Isufi për “Zërin”.

Isufi: Mund t’ia dalim

Bekim Isufi beson se Drita mund ta arrijë kualifikimin historik pavarësisht faktit se kundërshtari i nesërm është në avantazh pasi e ka fituar lojën e parë 2:1 në Luksemburg.

“Ne e morëm një rezultat jo në bazë të lojës dhe të angazhimit atje, por është rezultat që duhet menduar për ta përmbysur. I kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura. E njohim kundërshtarin, e kemi parë sa ka kapacitet”, vazhdoi trajneri gjilanas.

“Ata e kanë avantazhin, por duhet të shikojmë se si ta shkrijmë atë. Do të përpiqemi me të gjitha forcat. Do të jemi të kujdesshëm në menaxhim të situatës, nuk do të jemi euforikë. Kemi mungesa, por prapëseprapë ata që janë në dispozicion, do ta japin maksimumin dhe ta marrim një fitore ose kualifikim historik edhe për futbollin kosovar”, thotë Isufi.

Kualifikimi, hair për futbollin kosovar

Kualifikimi eventual i Dritës do të thoshte hair për futbollin kosovar, pasi në këtë mënyrë do të rritej vlera dhe kuota e futbollit të këtushëm dhe rrjedhimisht sezonin e ardhshëm Kosova do të mundë të prezantohej në garat evropiane me tri skuadra, për dallim nga dy sezonet e para, që u paraqit me nga dy.

“E kemi pasur parasysh këtë fakt, prandaj ia kemi vënë obligim vetes që nga fillimi i garave që të shkojmë sa më larg, pasi në këtë mënyrë na sheh hairin krejt futbolli kosovar”.

“Në këtë mënyrë do të rritet kuota edhe për më shumë klube pjesëmarrëse kosovare në garat evropiane. Do të mundohemi që ta sigurojmë këtë pozitë. Me këtë rast do të kishte më shumë të ardhura dhe interesim më të madh dhe të mira për futbollin kosovar”, përfundoi Isufi.

Dritës do t’i konvenojë një fitore minimale, 1-0, për të kaluar në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës.