Telegrafi

Drita merr fitore të madhe në udhëtim te Drenica, vendimtar golat nga Simonovski dhe Besnik Krasniqi

Pas largimit të trajnerit Ardian Nuhiut, Drita ka marrë fitoren e radhës në Albi Mall Superligë, pasi ka mposhtur Drenicën në udhëtim me rezultat 1-3.

Drita e nisi më mirë ndeshjen, kur rrezikoi në minutat e para me Blend Baftiu e Almir Ajzeraj, por në të dyja rastet priti portieri Arlis Shala.

Megjithatë për ta parë golin e parë në ndeshje u desh të pritej minuta e 42-të, me mysafirët që kaluan në epërsi.

Almir Kryeziu harkoi bukur në zonë nga rivënia këndore dhe Marko Simonovski shënoi me kokë për 0-1.

Me epërsinë minimale të mysafirëve u mbyllen 45 minutat e para të kësaj sfide.

Drita vazhdoi shkëlqimin edhe në pjesën e dytë, kur në minutën e 69-të, ishte përsëri Marko Simonovski që realizoi për 0-2, pas asistimit fantastik nga Blend Baftiu.

Tre herë kampioni i Kosovës nuk u ndal me dy gola, pasi 10 minuta më vonë Hamdi Namani fitoi penallti. I saktë si gjithmonë nga pika e bardhë ishte Besnik Krasniqi që realizoi penalltinë e 10-të këtë edicion për 0-3.

Vetëm pesë minuta më vonë Besnik Krasniqi shënoi autogol për 1-3, rezultat që ishte përfundimtar.

Me këtë fitore Drita vazhdon të kryesoj në Albi Mall Superligë me 38 pikë, tetë më shumë se Ballkani që ka katër ndeshje më pak. Ndërkohë Drenica mbetet në vendin e gjashtë me 20 pikë. /Telegrafi/