Telegrafi

Drita merr fitore spektakolare me rikthim ndaj Ballkanit – rihapet gara për titull

Drita ka fituar derbin ndaj Ballkanit i mbetur nga xhiro e tretë në Albi Mall Superligë me rezultat të ngushtë 2-1.

Ndeshja nisi më mirë për skuadrën mysafire, ku në minutën e pestë realizuan golin e parë.

Bajram Jashanica u gjend bukur në zonë dhe nga afërsia realizoi gol për epërsinë e mysafirëve 0-1.

Drita luajti më mirë, duke krijuar disa raste të mira shënimi dhe e gjeti golin e barazimit në minutën e 28-të.

Muharrem Jashari shërbeu mirë Almir Ajzerajn i cili asistoi me kokë te Blend Baftiu që realizoi nga afërsia për 1-1.

Drita krijoi edhe raste të tjera, por golin e epërsisë e gjeti në minutën e 44-të kur Blerim Krasniqi me një gjuajtje të fuqishme nga distanca realizoi për 2-1.

Edhe pjesa e dytë ishte shumë interesante, me Dritën që kishte më shumë nga loja.

Muharrem Jashari lëshoi një rast të artë shënimit, kur doli përballë me portierin Enea Koliçi.

Nga ana tjetër për mysafirët rrezikoi Albin Berisha, por pa sukses.

Në minutën e 82-të, Blerim Krasniqi i Dritës goditi shtyllën me kokë, duke humbur një rast të mirë shënimi.

Deri në fund gola më nuk pati dhe Drita mori tre pikë shumë të rëndësishme në garë për titullin e kampionit.

Gjilanasit tani zënë vendin e dytë me 34 pikë, pesë më pak se lideri Ballkani.

Drita më nuk do të luaj këtë vit pasi përfundojnë të gjitha ndeshjet e stinorit vjeshtor, derisa Ballkani ndeshjen e fundit do ta luaj në fundjavë në të njëjtin stadium ku është mysafir i Gjilanit. /Telegrafi/