Drita është skuadra e vetme kosovare që arriti me një fitore të kaloj një raund në garat evropiane.
Gjilanasit eliminuan skuadrën finlandeze Inter Turku dhe tani janë në rrethin e dytë të Ligës së Konfenrecës, ku po merr pjesë edhe Ballkani pas eliminimit nga Liga e Kampionëve.
Ekipi i drejtuar nga trajneri Ardian Nuhiu do të përballet me skuadrën e madhe belge Royal Antwerp, derisa ndeshja e parë zhvillohet në Belgjikë.
Antwerp sot (e enjte) është nikoqir i Dritës në stadiumin Bosuilstadion me fillim nga ora 19:00.
Vendasit janë favorit të mëdhenj në letër për ta fituar këtë takim, por skuadra kosovare ka udhëtuar drejt Belgjikës për të shkaktuar befasi.
Gjilanasit edhe në deklaratat e tyre para ndeshjes kanë bërë të qartë se synojnë të shkaktojnë befasi në Belgjikë dhe të largohen me rezultat pozitiv nga përballja e parë me Antwerp.
Në anën tjetër trajneri holandez i Antwerp, Mark Van Bommel deklaroi se e njeh mirë Dritën dhe nuk do ta nënvlerësojnë, por do të japin maksimumin për të marrë fitoren.
Dueli i parë zhvillohet sonte në Belgjikë, derisa ai i kthimit pas një jave në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë. /Telegrafi/