Klubi gjilanas, Drita ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e mbrojtësit anësor Enhar Cakolli, i cili së fundmi ishte pjesë e Ramiz Sadikut.
Drita ka konfirmuar gjatë ditës së sotme (e premte) se kanë nënshkruar kontratë tre-vjeçare me djaloshin e ri Enhar Cakolli.
Konfirmimi i kampionit të Kosovës erdhi me anë të rrjeteve sociale.
“Enhar Cakolli edhe zyrtarisht është pjesë e klubit tonë. Cakolli ka bërë hapin e madh në karrierën e tij dhe tani ka fituar kontratë trevjeçare me klubin tonë”.
“Enhari është bashkuar nga fillimi i fazës përgatitore me ekipin dhe me aftësitë e tija ka bindur stafin teknik dhe për tre vitet e ardhshme do të jetë bardhekaltër”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Drita ka konfirmuar se djaloshi luan në pozitën e mbrojtësit të djathtë, ka qenë pjesë e moshave të Ferizajt U-17 dhe U-19, ndërsa në vitin e fundit ishte pjesë e ekipit të parë të Ramiz Sadikut.
Me këtë transferim, ‘Intelektualët’ kanë njoftuar se kanë mbyllur çështjen e transferimeve. /Telegrafi/