Drita ka ndarë rrugët me trajnerin grek Akis Vavalis pas shtatë muajve qëndrim të tij në qytetin e Gjilanit.
Humbja nga Prishtina 1-0 ka bërë që drejtuesit e Dritës të ndajnë rrugët me trajnerin grek dhe ndihmësit e tij.
Megjithatë prej momentit që palët kanë ndarë rrugët, shumë emra kanë qarkulluar në media dhe rrjetet sociale se janë favoritë për të marrë drejtimin e klubit bardhekaltër.
Telegrafi ka kontaktuar me presidentin Valon Murseli, i cili ka deklaruar se ende nuk kanë kontaktuar asnjë nga trajnerët.
“Ne kemi ndarë rrugët me trajnerin Akis Vavalis të cilin e falënderojmë jashtëzakonisht shumë për kontributin e dhënë për klubin tonë gjatë kësaj periudhe”.
“Ende nuk janë bërë 24 orë që kemi ndarë rrugët me Vavalis dhe shumë emra po qarkullojnë që janë afër Dritës, por e vërteta nuk është kjo”.
“Deri në këto momente nuk kemi biseduar me asnjë trajner, edhe pse shumë emra janë ofruar dhe shumë nga ta janë propozuar nga menaxherë të ndryshëm, por ne si klub ende nuk kemi filluar bisedimet me askënd”, tha Murseli për Telegrafin.
Biznesmeni gjilanas i cili ka shtatë vite në krye të Dritës ka thënë se do të zgjedhin trajnerin e ri në qetësi.
“Nuk do të ngutemi për trajnerin e ri. Kemi kohë dhe mendoj se duhet ta zgjedhim me qetësi dhe jo të ngutemi”, deklaroi Murseli.
Drita aktualisht zë vendin e tretë në tabelë me 25 pikë, 10 më pak se lideri Ballkani. /Telegrafi/