Site icon Telegrafi

Drita fiton me rezultat bindës ndaj Dukagjinit

Foto: Drita FC/Facebook

Drita ka fituar me rezultat 4-0 ndaj Dukagjinit në kuadër të javës së 16-të në BKT Superligën e Kosovës.

Skuadra nga Gjilani e dominoi takimin qysh nga minuta e parë, duke treguar se ishte futur për pikët e plota.

Pas vetëm tetë minutash lojë, Arbnor Muaj e kaloi Dritën në epërsi, për t’u dhënë edhe më shumë zemër bashkëlojtarëve.

Gjërat për Dukagjinin u përkeqësuan edhe më shumë, kur Altin Merlaku u ndëshkua me karton të kuq për ndërhyrjen e rrezikshme ndaj Adian Limanit.

Në 45 minutat e dytë, vendasit arritën të vulosnin fatin e ndeshjes, tre gola të realizuara.

Muja ishte tejet i disponuar për lojë, pasi arriti që të dyfishonte rezultatin për Dritën.

Ishte minuta e 62-të, kur lojtari realizoi për 2-0, duke i bërë bardhëekaltrit të ndiheshin edhe më komod.

Drita nuk u ndal me kaq dhe shënoi edhe të tretin, tani me anë të Ilir Blakçorit (83’) .

Vendasit morën zemër edhe më shumë, pasi ia dolën të shënonin edhe të katërtin në minutën e 90+3-të, me anë të Ardit Tahirit.

Pas javës së 16-të, Drita është në vendin e tretë me 28 pikë, dy më pak se lideri Ballkani, gjersa Dukagjini është në të nëntin me 16 sosh. /Telegrafi/

Standings provided by SofaScore LiveScore
Exit mobile version