Drita ka fituar me rezultat 1-0 ndaj Lirisë në udhëtim në ndeshjen e vlefshme për javën e 20-të më Albi Mall Superligën e Kosovës.
Pas humbjes në derbi ndaj Llapit në ndeshjen e parë të pranverës, Drita ka shijuar fitoren e parë, duke triumfuar në Prizren.
Pjesa e parë e ndeshjes ishte thuajse e barabartë, me të dyja skuadrat që patën rastet e veta, por jo ideale dhe kështu shkuan në pushim me barazim 0-0.
Në pjesën e dytë, mysafirët filluan furishëm duke shënuar herët golin e epërsisë, ndërsa deri në fund nuk pati gola edhe përkundër rasteve.
Goli i vetëm në këtë ndeshje erdhi në minutën e 52-të me anë të Blerim Krasniqit, i cili shënoi me kokë për 1-0.
Pas kësaj fitore, Drita e sheh veten në pozitën e tretë me 37 pikë, po aq sa Llapi i dyti me një ndeshje më pak, ndërsa Liria është e fundit me 9 pikë.
Në ndeshjen e ardhshme, Drita e pret Ballkanin, ndërsa Liria udhëton te Dukagjini. /Telegrafi/