Site icon Telegrafi

Drita fiton derbin ndaj Istogut në Ligën e Parë në basketboll

(Foto: basketbolli.com)

Në fundjavë është zhvilluar xhiroja e tetë në Ligën e Parë. Ndeshja kryesore ka qenë ndërmjet Istogut dhe RC Cola Dritës, ku gjilanasit shënuan fitore në udhëtim me shifrat 85-86.

Rinor Ahmeti realizoi dy pikë, një minutë pa përfunduar ndeshja, duke i siguruar skuadrës së tij fitoren e shtatë radhazi, derisa kanë vetëm një humbje në xhiron e parë nga AS Prishtina, kurse istogasit kanë pesë fitore dhe dy humbje.

AS Prishtina ka regjistruar fitoren e tetë, duke mundur Megasports 87-75. Skuadra prishtinase ka tetë fitore në tetë ndeshje, duke qenë skuadra e vetme në Ligën e Parë pa asnjë humbje, kurse Megasports ka dy fitore dhe gjashtë humbje.

Fitoren e gjashtë e ka regjistruar Marigona Hill Prishtina, që numëron edhe dy humbje, ku në këtë xhiro ka mundur Vushtrrinë në udhëtim 67-75. Vushtrriasit kanë katër fitore dhe katër humbje.

Feronikeli, që edicionin e kaluar garoi në Superligë, ka mundur Prishtinën e Re 94-68. Nikli ka dy fitore dhe pesë humbje, kurse prishtinasit një fitore dhe shtatë humbje.

Skuadra tjetër që edicionin e kaluar garoi në Superligë, Lipjani, ka pësuar humbjen e tetë në tetë ndeshje të zhvilluara, duke qenë skuadra e vetme pa fitore në këtë rang garash. Lipjanasit pësuan 95-86 nga New Basket. Kjo e fundit ka katër fitore dhe katër humbje.

Exit mobile version