Drita ka arritur të fitojë derbin e javës së 10-të në Ipko Superligën e Kosovës në futboll, pasi ka mposhtur në shtëpi Ballkanin me rezultat 2-0.
Gjilanasit i janë kthyer fitores në kampionat pas barazimit te Drenica dhe kështu kanë rikthyer përkohësisht pozitën e parë në tabelë.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të vendasve, të cilët arritën të shënojnë edhe dy gola.
Goli i parë erdhi pas vetëm pesë minutave lojë dhe ishte Izair Emini, i cili shënoi për 1-0, ndërsa Gilberto Fortunado (23′) nga afërsia për 2-0.
Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më monotone dhe e ashpër, ku edhe rezultoi me përleshje dhe disa kartonë të kuq për dy skuadrat.
Edmond Turkun (63′) për ndërhyrje dhe trajnerin Ismet Munishi për shkak të protestave u ndëshkuan te mysafirët, ndërsa Liridon Leci (73′) të vendasit.
Deri në fund të ndeshjes pati edhe disa raste nga të dyja skuadrat, por pa arritur të shënojnë dhe ndeshja përfundoi me fitoren e Dritës 2-0.
Pas kësaj fitore, Drita e sheh veten në pozitën e parë me 21 pikë, po aq sa ka Gjilani në vendin e dytë, ndërsa Ballkani renditet i katërti me 20 pikë.
Në ndeshjen e radhës, Drita udhëton te Prishtina, ndërsa Ballkani e pret Flamurtarin. /Telegrafi/